Ministria e Mbrojtjes informoi sot se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 24 vatra zjarri, të cilat janë shuar të gjitha.
Sipas të dhënave të raportuara në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në AKMC, këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë e Vlorës, Vaut të Dejës, Malësisë së Madhe, Rrogozhinës, Durrësit, Fierit, Kuçovës, Lezhës, Kurbinit dhe Hasit.
Kryesisht zjarret kanë rënë në sipërfaqe me bimësi, ku si pasojë janë djegur rreth 9 hektarë sipërfaqe me shkurre e barishte si dhe 200 rrënjë ullinj në vatrën e evidentuar në fshatin Frakull, në bashkinë Fier.
Në dy raste zjarret janë evidentuar në dy banesa, njëra në fshatin Zagorë, bashkia Malësi e Madhe dhe tjetra në një shtëpi të pabanuar në vendin e quajtur “Mali i Kolajt”, Velipojë, si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Në të gjitha operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 32 automjete zjarrfikëse dhe 223 forca operacionale.
Për ditën e sotme, nga parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave pritet nivel rrezik “i lartë” në qarqet; Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjerë pritet nivel rrezik “i moderuar”.
I gjithë sistemi i mbrojtjes civile është në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri për të ofruar mbështetje të menjëhershme nëse do të jetë e nevojshme.
Ministria e Mbrojtjes fton qytetarët që në këto ditë me temperatura të larta dhe rrezik të shtuar për zjarre, të tregojnë kujdes maksimal dhe përgjegjshmëri, si dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, si ndezja e zjarreve në ambiente të hapura, djegia e mbetjeve apo hedhja e objekteve të ndezshme në natyrë.
Sipas MM-së çdo rast zjarri duhet të njoftohet menjëherë pranë strukturave vendore.
“Bashkëpunimi i qytetarëve është vendimtar për mbrojtjen e jetës, pronës dhe natyrës”, tha MM.