Temperaturat po rriten, dhe së bashku me to, po rritet edhe dëmi nga zjarret që po përfshijnë mijëra hektarë pyje në Shqipëri. Sipas të dhënave të European Forest Fire Information System që monitoron gjendjen e zjarreve në Europë dhe përpunon statistika, deri më tani janë djegur rreth 2,800 hektarë pyje dhe kullota.
Pjesa më e madhe e këtyre zjarreve kanë ndodhur pranë qyteteve të Vlorës dhe Lezhës, sipas raportimeve të EFFIS. Dëmi ekonomik, i përllogaritur me formulën standarde të vlerësimit të dëmit nga zjarret pyjore, është afërsisht 16.75 milionë euro deri në këtë moment. Në krahasim me vitin e kaluar, edhe pse jemi vetëm në gjysmën e parë të vitit, dëmi ekonomik nga zjarret është dukshëm më i vogël. Gjatë vitit 2024, zjarret shkaktuan dëme që kapën vlerën e rreth 280 milionë eurove në pyje dhe kullota. Viti 2024 konsiderohet një vit rekord për Shqipërinë, si për numrin e zjarreve, ashtu edhe për dëmin ekonomik që ato shkaktuan gjatë 15 viteve të fundit, sipas EFFIS.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë angazhuar intensivisht në monitorimin dhe parandalimin e zjarreve në Shqipëri.
Për mbështetjen e ndërhyrjes në terren, ministria ka aktivizuar 64 automjete zjarrfikëse. Ndërkohë, në qiellin e vendit po monitorohet situata në kohë reale edhe nga droni Bayraktar TB2, pjesë e modernizimit të Forcës Ajrore, i cili patrullon pa ndërprerje për të siguruar vëzhgim dhe reagim të shpejtë ndaj zjarreve./scan