Drejtor Proda në terren për masat e sezonit turistik 2025

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, inspektoi nga afër zbatimin e masave të posaçme për sezonin turistik në Sarandë.

I shoqëruar nga Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Saimir Boshnjaku, Drejtori i DVP Vlorë Elidon Çela dhe Drejtori i Kufirit Vlorë Blendi Jaho, Drejtori Proda zhvilloi një takim me forcat policore të angazhuara në terren, të cilët i falënderoi për përkushtimin dhe u dha porosi të qarta:

✅ “Siguria është pasaporta jonë” për qytetarët, vizitorët dhe turistët, ndaj kërkohet më shumë angazhim, profesionalizëm dhe kujdes për çdo pushues e turist, me qëllim që këtë sezon të kemi parametra sigurie akoma më të larta se më parë.

✅ Plazhet dhe perimetri i sigurisë të jenë nën monitorim të vazhdueshëm, përmes dronëve, patrullave me biçikleta përgjatë vijës bregdetare, njësisë policore detare dhe Policisë Kufitare. Asnjë tolerim ndaj atyre që cënojnë perimetrin e sigurisë për pushuesit.

✅ Kontrolle rigoroze ndaj mjeteve lundruese, për dokumentacionin, kapacitetin dhe masat e sigurisë (jelekët e shpëtimit).

✅ Zero tolerancë për zaptimin e hapësirave publike. Çdo rast të referohet dhe të ndëshkohet sipas ligjit. Të intensifikohen veprimet në kuadër të operacionit “Plazh i lirë”, në bashkëpunim edhe me policitë bashkiake në zonat bregdetare.

✅ Parandalimi i ndotjes akustike kërkon reagim të menjëhershëm ndaj shqetësimeve të qytetarëve, jo vetëm në zonat bregdetare, por në të gjithë vendin.

✅ Policia Kufitare të marrë masa për shtimin e sporteleve në raste fluksi, me qëllim shmangien e radhëve dhe garantimin e kontrollit efektiv për parandalimin e krimeve ndërkufitare.

✅ Siguria rrugore është prioritet. Përdorimi i teknologjisë inteligjente dhe bashkërendimi me shërbimet e tjera policore të mundësojë rritjen e parametrave të sigurisë në akset rrugore dhe qendrat e banimit.

✅ Punonjësit e Policisë janë pika e parë e kontaktit me vizitorët dhe turistët, ndaj duhet të jenë model në sjellje, komunikim dhe shërbim, për të përçuar besim dhe imazh pozitiv te qytetarët dhe vizitorët.

Në vijim, Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Saimir Boshnjaku dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Elidon Çela e njohën Drejtor Prodën me zbatimin e masave në terren.

Policia e Shtetit është në shërbim të sigurisë së çdo qytetari, vizitori dhe turisti. Bashkë për një sezon të qetë, të sigurt dhe të paharrueshëm!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu