Proda – Ball: “Të vendosur për të thelluar bashkëpunimin kundër krimit të organizuar.”
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, priti në takim kortezie z. Adam Ball, Drejtues i Portofolit të Policive Britanike për Krimin e Organizuar në Ballkanin Perëndimor.
Në fokus të këtij takimi ishte bashkëpunimi shumë i mirë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe autoriteteve policore britanike, veçanërisht në fushën e luftës kundër krimit të organizuar.
Z. Ball vlerësoi rezultatet e arritura nga Policia shqiptare në këtë drejtim dhe falënderoi Drejtor Prodën, për bashkëpunimin profesional dhe angazhimin e vazhdueshëm. Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë për ta mbështetur më tej Policinë e Shtetit, përfshirë trajnimin e disa oficerëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar, me fokus hetimin e krimeve kompjuterike dhe digjitale.
Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda theksoi se Policia e Shtetit e konsideron prioritet bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe se modeli i suksesshëm i bashkëpunimit mes policive kufitare duhet të shtrihet edhe më tej.
Z. Ball e ftoi zyrtarisht Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për një vizitë në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në fund të takimit, Drejtor Proda dhe z. Ball vlerësuan punën e shkëlqyer të oficerëve të kontaktit në policitë respektive.