Cristiano Ronaldo ka shkruar një tjetër faqe të artë në karrierën e tij duke fituar për herë të dytë Ligën e Kombeve të UEFA-s, këtë herë pas një finaleje dramatike kundër Spanjës, e fituar nga Portugalia me penallti.
Ylli portugez, i cili shënoi një tjetër gol në këtë sukses, ka arritur në kuotën e 938 golave në karrierë dhe ka konfirmuar se nuk ka ndërmend të ndalet këtu. Në përfundim të finales në Mynih, Ronaldo sqaroi çdo paqartësi për të ardhmen e tij. I pyetur nëse do të vazhdojë te Al-Nassr, ai u përgjigj prerazi: “Po”, duke shtuar: “Praktikisht, asgjë nuk ndryshon”.
Megjithëse është në moshën 40-vjeçare, “fenomeni portugez” synon të arrijë 1000 gola në karrierë dhe të vazhdojë të luftojë për trofe si protagonist. Ai theksoi se për momentin pensionimi nuk është në axhendën e tij: “Ju tashmë e dini sa vjeç jam, padyshim që jam më afër fundit sesa fillimit, por duhet të shijoj çdo moment. Nëse nuk dëmtohem rëndë, do të vazhdoj”.
CR7 kishte dhënë sinjale për të ardhmen disa ditë më parë, duke deklaruar se nuk do të marrë pjesë në versionin e ri të Kupës së Botës për Klube, pavarësisht interesimit dhe ofertave të shumta. Gjatë finales ai pësoi një dëmtim në minutën e 88-të, por kjo nuk e pengoi të ndihmonte ekipin drejt suksesit.
“E ndjeva dëmtimin që nga ngrohja, më kishte shqetësuar për një kohë. Por për Portugalinë, edhe nëse do të thyeja një këmbë, do ta bëja. Duhej të luaja dhe i dhashë gjithçka”, deklaroi Ronaldo pas ndeshjes.
Një tjetër titull për koleksionin e një prej legjendave më të mëdha të historisë së futbollit, që vazhdon të frymëzojë breza të tërë tifozësh në mbarë botën.