Pasi doli kandidati me i votuar ne qark dhe diaspores, si dhe nje nder emrat me te votuar ne shkalle vendi, Bardh Spahia i eshte drejtuar me nje status falenderimi te gjithe mbeshtetesve, si dhe strukturave PD.
Statusi Bardh Spahia:
Të falemnders me zemër Shkodër!
Zgjodha të pres numërimin edhe të votës së fundit të diasporës, në respekt të të gjithë procesit, për të qënë mirënjohës me përulësi ndaj 11 mijë e 119 bashkëqytetarëve të mi, në qytet, njësi administrative, në qark dhe diasporë të cilët na mbështetën mua dhe Partinë Demokratike në këtë rrugëtim. Në 11 Maj, përmes votës tuaj, më besuat më shumë se kushdo tjetër, jo vetëm në nivel qarku, por edhe në diasporë dhe në rang kombëtar. Ky besim është nder, privilegj dhe përgjegjësi e madhe. Një falenderim i veçantë shkon për çdo bashkëqytetar i cili mori pjesë në këtë proces duke besuar dhe ndarë bashkë të njëjtat vlera dhe aspirata, për çdo përqafim dhe shtrëngim dore që përcolli shpresë, për çdo fjalë që më dha forcë gjatë kësaj rruge aspak të lehtë, përballë një narkoshteti që ka përdorur çdo instrument për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve, përmes parave të pista, bandave dhe abuzimit me pushtetin. Por ne në Shkodër qëndruam sepse shpirtin e lirë të Shkodrës nuk e mund askush dhe asgjë! Aspirata e kahershme e bashkëqytetarëve tanë për të jetuar të lirë dhe me dinjitet nuk mund dhe nuk do mposhtet kurrë nga asnjë makinacion.
Mirënjohje për çdo strukturë e simpatizant të Partisë Demokratike që punoi pa u lodhur, komisionerët, numëruesit, vëzhguesit dhe përfaqësuesit tanë në ZAZ-të të cilët qëndruan deri në fund me dinjitet e përkushtim në mbrojtje dhe si garant i vullnetit të çmuar të shkodranëve të cilët vazhdojnë me krenari të mbeten mbrojtësit më të pamposhtur të demokracisë në Shqipëri.
Dua të falenderoj edhe kandidatët e listës së koalicionit AMSH për kontributin në përpjekjen tonë të përbashkët.
Dua gjithashtu të falenderoj të rinjtë dhe të rejat shkodranë, stafin dhe familjen time.
Ky rezultat është fryt i bashkimit tonë. Por mbi të gjitha, ky është një mesazh i qartë: Shkodra nuk hesht. Shkodra flet. Më ka dhënë zërin për të folur më fort në emër të saj. Siç kam bërë deri më sot, do të vazhdoj të jem një zë i fuqishëm për Shkodrën në Kuvend. Angazhimi im ndaj jush është më i fortë se kurrë.