Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela po raporton në Këshillin e Lartë të Prokurorisë në lidhje me punën e bërë gjatë vitit 2024. Ai ka theksuar se një bashkëpunim i frytshëm ka qenë ai më Prokurorinë e Posaçme, ku nënvizoi se gjatë vitit që kaloi drejt kësaj prokurorie u transferuan për kompetencë 61 referime/procedime penale që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar

“Bashkëpunimi e koordinimi ndërmjet prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe Prokurorisë së Posaçme përgjatë vitit 2024 ka vijuar në zbatim të ligjit dhe Aktit të Koordinimit Ndërinstitucional, (datë 15.12.2020), ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të veprimtarisë procedurale në nivel vendor. Gjatë vitit që kaloi drejt kësaj prokurorie u transferuan për kompetencë 61 referime/procedime penale që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Duhet theksuar se në tërësi niveli i bashkëpunimit ndërinstitucional me Prokurorinë e Posaçme ka qenë dhe vijon të mbetet shumë i mirë në të gjitha nivelet”, u shpreh ai.

Çela ka renditur edhe objektivat në lidhje me vitin 2025. Mes të cilave përmendi rriten e eficecës për bashkërendimin ndërinstitucional. “Me synim përmbushjen e misionit kushtetues dhe ligjor të prokurorisë, rritjen e mëtejshme të efektivitetit të ndjekjes penale, ngritjes dhe përfaqësimit të akuzës në gjyq, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit në procesin penal, prioritetet tona institucionale janë:

1. Ndjekja me efikasitet dhe efiçencë e rekomandimeve në luftën ndaj kriminalitetit duke u fokusuar në mirëfunksionimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të prokurorisë, si dhe në koordinimin dhe bashkërendimin institucional me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit

2. Vijimi i punës për forcimin e kapaciteteve institucionale për rritjen e eficiencës në veprimtarinë administrative të prokurorisë dhe i kapaciteteve profesionale për rritjen e efektivitetit të veprimtarisë së prokurorëve dhe policisë gjyqësore në ushtrimin e funksioneve kushtetuese e ligjore.

3. Të vijojë rritja më tej e veprimtarisë mbikëqyrëse për zbatimin e udhëzimeve të përgjithshme të detyrueshme dhe e bashkëpunimit me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë në drejtim të koordinimit të aktiviteteve, shkëmbimit të informacionit, identifikimit të shkeljeve disiplinore apo etike dhe problemeve të performancës së zyrave të prokurorive.

4. Të vijojë rritja më tej e efiçencës së bashkërendimit ndërinstitucional dhe koordinimit me Komisionin e Policisë Gjyqësore dhe me agjencitë ligjzbatuese të përfshira, për forcimin e kapaciteteve profesionale të oficerëve të policisë gjyqësore në strukturat përkatëse të shërbimeve dhe seksioneve të policisë gjyqësore, me synim rritjen më tej të cilësisë dhe efektivitetit në kryerjen e hetimeve në drejtimet prioritare të luftës kundër kriminalitetit në zbatim të Kodit të Procedurës Penale, Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit dhe ligjit nr. 10192/2009, i ndryshuar.

5. Të vijojë plotësimi/përditësimi i kuadrit nënligjor me qëllim përmirësimin e hetimit dhe ndjekjes penale dhe garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut në procesin penal.

6. Të vijojë sigurimin e bashkëpunimit për krijimin e sistemit të ri të menaxhimit të çështjes që mundëson dixhitalizimin e plotë të proceseve të punës, gjenerimin e statistikave të plota, të sakta dhe të besueshme në kohë reale, shpërndarjen e çështjeve me short elektronik në përputhje me aktet ligjore e nënligjore, si dhe çdo kërkesë të nevojshme për një sistem me standarde bashkëkohore.

7. Përdorimi me efektivitet i fondeve buxhetore për përmirësimin e infrastrukturës në prokurori me qëllim sigurimin e aksesit të shtetasve në prokurori, nëpërmjet garantimit të standardeve për intervistimin e miturve dhe viktimave të krimit, si dhe aksesueshmëri për personat me aftësi të kufizuara.

8. Rritja e bashkëpunimit dhe transparencës në marrëdhëniet me publikun dhe median, në funksion të informimit të publikut, forcimit të besimit te prokuroria dhe nxitjes së raportimit të krimit.

9. Vijimin e angazhimit në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian me përmbushjen e detyrimeve institucionale në luftën kundër kriminalitetit dhe respektimit të të drejtave të njeriut”, ka përfunduar Prokurori i përgjithshëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu