“70 për qind privat, 30 për qind publik”… formula për ndarjen e plazheve në Shqipëri nuk zbatohet në terren. Në këtë përfundim ka arritur Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin “Menaxhimi i hapësirave publike në plazhe”, raporton newspower.al. KLSH nxjerrë në pah se politika e qeverisë që i jep më shumë “rërë falas” pushuesve ekziston vetëm në letër.

Nga vëzhgimet në terren rezulton se hapësira që i rezervohet publikut, shpesh herë nuk është e përshtatshme dhe e aksesueshme për qytetarët. Vendndodhja e tyre shpesh herë është në afërsi të derdhjes së ujërave të zeza, në territor me papastërti, apo distancë nga zonat historike të plazheve. Në disa raste hapësira publike rezulton e zënë nga banorë të zonës me shezlong e çadra stacionare të mbyllura me zinxhir dhe dryna.

Kontrolli i Lartë i Shtetit

Fotografia “bardh e zi” e turizmit në Shqipëri, me gjithë mijërat e milionat e turistëve që thuhet se hynë në vend çdo muaj shtrihet edhe në drejtime të tjera.

Në disa plazhe, infrastruktura është e pamjaftueshme, duke përfshirë mungesën e rojeve bregdetare, tabelave sinjalizuesve, kabinave për ndërrim, dushe të pastra dhe tualet të mirëmbajtur. Kjo ndikon negativisht në përvojën e vizitorëve dhe mund të krijojë shqetësim në komunitet ku hapësirat publike nuk kanë cilësinë e duhur ose në disa raste nuk ka hapësirë të mjaftueshme për shfrytëzim nga publiku. Problemet e pastrimit janë gjithashtu një sfidë e dukshme.

Kontrolli i Lartë i Shtetit

Çelësat nuk janë vetëm në nivel qendror. Edhe bashkitë bregdetare nuk po arrijnë të marrin atë që ju takon nga bizneset private që shfrytëzojnë plazhet.

Bashkitë Shkodër, Lezhë, Durrës, Himarë, Sarandë gjatë periudhës 2022-2024, nuk kanë kryer asnjë studim apo analizë kosto përfitim lidhur me menaxhimin e hapësirave publike në plazhe, përfshirë edhe rishikimin e vlerës së tarifës për zënien e tyre. Tarifa ka mbetur e njëjtë për periudhën dhe mund të konsiderohet si proces formal mbajtja në të njëjtat nivele e saj nga një vit në tjetrin.

Kontrolli i Lartë i Shtetit

Shqipëria mbetet i vetmi vend në Evropë, të cilit i mungon një ligj për bregdetin, ku të përfshihej dhe trajtimi i plazheve, në ngjashmëri me vendet bregdetare të rajonit. Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon miratrimin e tij, sa më shpejt të jetë e mundur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu