Ka dështuar mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak në Shkodër, pasi këshilltarët e Partisë Demokratike dhe ata të Partisë Socialdemokrate braktisën sallën në mënyrë demonstrative. Sipas tyre, disa prej pikave të rendit të ditës synojnë të miratojnë projekte që, sipas opozitës, krijojnë pabarazi në garën zgjedhore dhe favorizojnë mazhorancën në pushtet.
Këshilltarët opozitarë kanë ngritur shqetësimin se bashkia po shndërrohet në një vegël politike, duke përdorur fondet dhe projektet për qëllime elektorale. Ata theksuan se nuk mund të bëhen pjesë e një procesi që, sipas tyre, minon barazinë dhe ndershmërinë e garës politike.
Ndërkohë, përfaqësuesit e mazhorancës në këshill i cilësuan pretendimet e opozitës si të pabazuara dhe krejtësisht të pavenda. Sipas tyre, çdo projekt i propozuar është në përputhje të plotë me ligjin dhe ka për qëllim vetëm përmirësimin e jetës së qytetarëve të Shkodrës.
Ngërçi i krijuar ka lënë pezull disa vendime, ndërsa tensionet politike duket se po thellohen në prag të një viti elektoral të nxehtë.