Kandidatët që kanë probleme me drejtësinë apo me njollë në formularin e dekriminalizimit, nuk i mungojnë as në këto zgjedhje votuesve shqiptarë. Rekordin vijojnë ta mbajnë socialistët, që duket se e kanë të pamundur të ndahen me të shkuarën e errët të kandidatëve, ku edhe në qarkun Shkodër 3 prej tyre i përkasin listës së përzgjedhur nga Edi Rama dhe Benet Beci. Në formularët e dekriminalizimit shihen emrat e Shkëlqim Sterkaj, deputetit aktual Frrok Gjini dhe kandidatit Ervin Doda.
Shkëlqim Stërkaj deklaron masën e detyrimit të paraqitjes për një vepër të pa specifikuar qartë, për të cilën thotë se ka fituar pafajësi në 2009-ën.
Për armëmbajtje pa leje dhe kanosje është ndaluar kandidati tjetër Ervin Doda, por vendimi gjykatës së Pukës e ka shpallur atë të pafajshëm.
Rast interesant është ai i Deputetit aktual të Shkodrës, Frrok Gjini që ka deklaruar masën e arrestit me burg dhe atë në shtëpi për dy vepra të ngjashme pjesëmarrje në protestën e Partisë Demokratike të 14 shtatorit 1998, ndërsa 8 vite më vonë në protestën e socialistëve kundër qeverisë demokrate.