Puna për ndërtimin e resortit luksoz të biznesmenit Bashkim Ulaj në kufi me zonën e fshatit Baks-Rrjoll në Velipojë është pritur me protesta nga banoret. Për të dytën ditë radhazi ata kanë dalë në protestë ku kërkojnë ndaljen e punimeve, pasi akuzojnë se biznesmeni Ulaj në bashkëpunim me shtetasin Fatmir Shpellzaj u kanë grabitur pronat. Protesta është shoqëruar edhe me përplasje me policinë. Ndërkohë, në një moment gjatë përplasjes shihet i shtrirë në tokë edhe një banor, i cili është ndjerë keq pas përplasjes. 60 familje kërkojnë ndërprerjen e punimeve, ndërsa akuzojnë Ulajn se në bashkëpunim me Shpellzajn u kanë grabitur tokat duke falsifikuar dokumentet e pronësisë.
“Këtu një njeri i panjohur fare, del dhe merr 1500 dynym tokë, si ka mundësi. Edhe të jetë tokë publike, shteti duhet ta shohë pse ka marrë 1500 dynym tokë. Ai nuk ekziston askund, del nga nëntoka, merr një pasuri që është e popullit. Policia, ne kemi respekt. Por nëse është e mundur që po mbrojnë atë zotërinë, të na mbrojnë edhe ne. Të ndalojnë punimet, të ulen rrafshit, të diskutojnë, të vijë ai zotëria që na ka marrë tokën, siç vi unë. Jam ballafaquar me atë dy herë, ai thotë e kam marrë tokën unë se më takon. I kam thënë eja të merresh vesh me njerëzit. Të ndalojnë punimet dhe të merremi vesh, ne nuk duam konflikt me policinë.
Kam 400 dynym tokë me letra, me vendim gjykate, me dy vendime gjykate në 1996 dhe 2008. S’ka ardhur njeri me na thënë që u kanë marrë tokën. Para një jave isha në Shkodër dhe çunat me marrin në telefon dhe thonë që janë duke punuar në tokë. Vi këtu dhe një far Fatmir Shpellza, lind e rritur e banues në Malësi të Madhe. Shpellza ka dalë pronar, mik i ngushtë i Ilir Metës. Meta e ka kaluar drejtor të hipotekës disa vjet në Malësi të Madhe, ka kaluar drejtor i pyjores në Malësi të madhe. Ka qenë në pozita të veçanta dhe ka bërë çfarë ka dashur. Është lidhur me Ulajn, e ka mik. Ka përpiluar dokumentet pa dëshmitarë. Bashkim Ulaj ka lekë boll, e kemi çuar në SPAK. Thonë do bëhen pallate.
Kjo pronë është me letra dhe dokumente. Ai që don me ditur për letrat tona, jemi të hapur të vijnë dhe të ballafaqohemi. E kam me vërtetim hipoteke. Unë dua të ballafaqohem me letrat e personit. Është transferuar prona, është marrë në mënyrë fantazmë. Nuk e njohim këtë person, del me 1500 dynym tokë. Person i paparë, nuk e kemi dëgjuar ndonjëherë. Të jesh me një forcë politike dhe të marrësh kaq. E di Fatmir Shpellza me kë e ka bërë. Nuk perëndojmë asnjë metër që nuk është e jona, kjo pronë është e jona dhe do ta mbrojmë me gjak. Bashkim Ulaj të vijë këtu dhe të ulet në tavolinë të merremi vesh. Do vazhdojmë aksionin tonë deri në ndalimin e punimeve”, shprehen banorët.Ky fshat turistik me vila e hotele luksoze do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër dhe ka sipërfaqe prej 147.2 hektarësh.