Nga Bruna Keçi Lleshi
Zgjodha me vetëdije heshtjen këto ditë të marramendshme informacionesh dhe përplasjesh në lidhje me Orkestrën Simfonike të Shkodrës, pjesë e të cilës isha edhe vetë, juridikisht deri në datën 31 dhjetor 2024!
Modestisht dhe me shumë mirënjohje karshi atij që e bëri të mundur rikthimin pas 32 vitesh në institucion të Orkestrës Simfonike, jo për politikën e ditës por për njohjen dhe dashninë e vërtetë të qytetit, ja lejoj vetes të ndjehem krenare që si Përgjegjëse e Artit e Trashëgimisë Kulturore, isha pjesë kyçe e këtij rikthimi në janar të 2023-shit me mbështetjen e pakusht që mori ky formacion (i lutur ndër vite nga ne artistët) nga drejtuesi i asaj kohe Bardh Spahia!
Falë Zotit, sot nuk flas në pozitat institucionale, por si muzikante që kontributin tim artistik e kam nisë hershëm mbi 25 vite në këtë qytet, si soliste, flautiste, si mësuese në shkollën artistike “Prenkë Jakova”, si vajza e parë në historografinë e bandës frymore në Shkodër, e krijuar në 1876 nga Giovanni Canale, si pjesëmarrëse në çdo koncert që muzikantë dhe organizatorë të shquar që jetojnë e nuk jetojnë sot, kanë organizuar duke mbajtë gjallë frymën e artit dhe klasiçizmit në qytetin e artit, në qytetin e Prenkë Jakovës, Martin Gjokës, Çesk Zadejës e të gjithë korifejve të skenës shkodrane e shqiptare!
Falë Zotit, sot nuk flas në pozitat institucionale, por nuk hesht dot për të vërtetat që institucioni i Bashkisë Shkodër ka zgjedhë t’i fshehë, t’i manipulojë, apo t’i përdorë ato për mbrojtje politike përmes partisë që përfaqëson vetë drejtuesi politik i atyre dy institucioneve, njëri politik, e tjetri publik!
Orkestra Simfonike e Shkodrës, nuk është parti, as e majtë, as e djathtë, as euroatlantike, as e gjelbër! Ajo ka vetëm një ngjyrë që quhet fisnikërisht MUZIKË!
Ajo ka vetëm një ngjyrë që fisnikërisht quhet SHKODËR E ARTIT!
E vërteta është që Orkestra Simfonike e Shkodrës, sot me vendime personale të Drejtorisë së Kulturës të Bashkisë Shkodër, Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci” dhe Benet Becit si kryetar i këtyre institucioneve, është SHKRIRË!
Nëse nuk është SHKRIRË (siç pretenton një parti politike në Shkodër, se institucioni nuk ka dhënë ende asnjë sqarim publik juridik), publikisht i kërkoj Bashkisë Shkodër:
1. Bazën ligjore mbi të cilën është vendosë shpallja e audicioneve për honorare të pjesshme me 15 janar të këtij viti (në kundërshtim me neni150/1 Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë)
2. Rregulloren e brendshme të miratuar nga organi konpetent, mbi të cilën janë vendosë kriteret profesionale të audicioneve (ku përfshihen edhe afatet kohore të zbatimit dhe përfundimit)
3. Listën përfundimtare të aplikuesve në audicione;
4. Procesverbalin e pikëve të çdo pjesëmarrësi në audicion,
5. Listën përfundimtare të fituesve, sipas pikëve të komisionit, të cilat juridikisht duhej të ishin shpallë maksimalisht me 30 janar 2025!
6. Pse nuk është shpallë ende sot lista e fituesve në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër?
7. Kush ka firmosë prej ditësh fshehtas kontrata individuale si instrumentist të Orkestrës Simfonike?
8. Pse Orkestra Simfonike parashikon sot vetëm 24 instrumentistë me kontratë dhe jo 51 siç është miratuar në Këshill Bashkiak?
9. Si quhet ky formacion muzikor sot që nuk është më orkestër, përveçse një dizonancë kakofonike, e cila nuk tingëllon?
Dikush në jetë më ka mësu që “Nuk duhet ba çka t’vjen për doret, e kurrë nuk duhet ujitë marrija”!