Nesër, më 12 mars, Kryesia e Partisë Socialiste do të mblidhet për të finalizuar dhe “vulosur” listat e kandidatëve që do të përfaqësojnë partinë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Takimi i Kryesisë do të zhvillohet në orën 19:00 në selinë rozë, dhe do të shënojë përmbylljen e këtij procesi, me afatin e fundit për dorëzimin e listave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që është ora 24:00.
Para kësaj mbledhjeje, Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim me Taulant Ballën dhe bordin e diasporës për të diskutuar për emra të mundshëm kandidatësh nga diaspora, duke shqyrtuar mundësitë për përfshirjen e tyre në listat e kandidatëve.
Rama ka zhvilluar takime me kabinetin dhe drejtuesit politikë të partisë për të diskutuar listat paraprake të kandidatëve, duke theksuar se ato do të përfshijnë një përzierje të eksperiencës së të “vjetërve” dhe energjisë së të rinjve. Ende nuk është e qartë nëse Rama do të jetë pjesë e garës, pasi ai ka lënë mundësinë të hapur për të mos qenë në listat e kandidatëve.