Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë në këto ditë marsi u vizitua nga alpinistë dhe turistë të të apasionuar pas ngjitjeve në mal. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga ngjitja në Alpe e një grupi të madh alpinistësh. “179 alpinistë nga gjithë Shqipëria eksploruan “Parkun Kombëtar të Alpeve”, një përvojë unike e turizmit malor mes peizazheve të mrekullueshme, nismë e Federatës Shqiptare të Alpinizmit, të cilës iu bashkuan edhe turistë të pasionuar pas natyrës”, tha Kumbaro.

Në këtë ekspeditë 179 alpinistë nga 16 ekipe të vendit tonë u ngjitën në majën më të lartë të Qafë Thores, Mark Zagora apo siç njihen ndryshe si binjaket e Thethit, në lartësinë 2313 metra mbi nivelin e detit, duke sfiduar kështu vështirësitë dhe rreziqet që shoqërojnë stinën e dimrit në këto zona. Ky aktivitet është një mundësi për të promovuar bukuritë dhe vlerat turistike të Alpeve. Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë, një nga territoret më atraktive dhe më magjepsëse të trevave shqiptare me bukuri të shumta natyrore dhe pasuri të mëdha turistike, tërheq çdo vit të apasionuarit pas ngjitjeve në mal.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu