Partia Demokratike po mban një takim ku bëhet edhe prezantimi i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për zgjedhjet e 11 majit. Kreu i PD Sali Berisha ka deklaruar se ky koalicion përfaqëson elitat politike dhe ka në përbërje sipas tij qendrestare, patriotë dhe ekspertë të shquar.
Sali Berisha: Është një nder i jashtëzakonshëm t’u drejtohem sot shqiptarëve së bashku me koalicionin më të fuqishëm që Shqipëria ka përjetuar në 32 vite.
T’u drejtohem shqiptarëve në një moment historik, moment të në cilin ky komb vendos në përpjekjen më epike për t’u ndarë nga diktatura e dytë që kombi përjetoi 34 vite pas përmbysjes së diktaturës së parë. Kjo ditë është një ditë shumë e veçantë në historinë e përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet. Në historinë e përpjekjeve të shqiptarëve për një Shqipëri të jetueshme. Për një Shqipëri ‘Made in Albania’. Për një Shqipëri Madhështore. Për Shqipërinë e ëndrrave të shqiptarëve
Ky koalicion që paraqitet sot para shqiptarëve përjashton jo vetëm shumicën absolute në distancë të qytetarëve shqiptarë,por përfaqëson në distancë elitën politike dhe të gjithanshme të kombit shqiptar. Ky koalicion ka në gjirin e vet vajza dhe djem, burra dhe gra, qëndrestarë të pamposhtur, personalitete, patriotë dhe ekspertë të shquar të shkolluar në shkollat më të mira të Europës dhe botës. Ky koalicion ka të gjithë mendjen, të gjithë vullnetin, atdhetarinë dhe përkushtimin për të bërë Shqipërinë Madhështore.
Për të bërë Shqipërinë një vend ku qytetarët e lirë të saj të mos njohin më dhimbjet e pamerituara, çnjerëzore të varfërisë ekstreme. Ku qytetarët e saj, bijtë dhe bijat e saj, të rendin pas ëndrrës së tyre më të bukur shqiptare, të ndërtojnë këtë ëndërr në Shqipëri.