Takimi informal dyditor i Partisë Socialiste, i drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, u mbyll në orët e mbrëmjes të së shtunës pas diskutimeve të shumta për programin elektoral që do të paraqitet, si edhe për deputetët e ardhshëm të mazhorancës.

Drejtuesit politikë të qarqeve dorëzuan listat e kandidatëve që kishin hartuar, por miratimi i tyre do t’i takojë Kryesisë së Partisë Socialiste.

Ky forum do të shqyrtojë secilën listë kandidatesh për deputetë, dhe vetëm pas miratimit të tyre, ato do të depozitohen zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve brenda afatit ligjor, deri më 12 mars. Diskutimet gjatë takimit u përqendruan në kandidatët që do të jenë pjesë e listës së mbyllur dhe asaj të hapur.

Në ditën e dytë të takimit, diskutimet patën në fokus programin politik që socialistet do të prezantojnë në zgjedhjet e ardhshme, në kërkim të votës së qytetarëve. Risia për këtë fushatë është se socialistët do të ndahen dhe do të lëvizin edhe jashtë vendit për të organizuar takime elektorale.

Fushata do të përqendrohet kryesisht në Greqi dhe në Itali, nga ku vjen edhe numri më i madh i emigrantëve që janë regjistruar për të votuar, me rreth 100 mijë.

Rama dhe drejtuesit politik të PS do të jenë të pranishëm në takimet me diasporën për të kërkuar votën. Sakaq, mësohet po ashtu se raportimi i ministrave në takimin e djeshëm dhe të sotëm ka qenë për atë çfarë do të premtojnë gjatë fushatës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu