Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 mars, kryeministri Edi Rama vlerësoi rolin dhe kontributin e tyre në shoqëri. Kreu i qeverisë tha se vajzat dhe gratë janë të përfshira në të gjitha nivelet e vendimmarrjes dhe kjo është meritë e Partisë Socialiste.

“Sot ka shumë më tepër vend për gratë dhe vajzat në të gjitha nivelet e vendimmarrjes por dhe hapësirat e jetës aktive, kjo i detyrohet në radhë të parë një emri të vetëm PS”, tha Rama.

Votën ua kërkoi më 11 maj, duke thënë se do jenë nikoqire të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Sa i takon listave, të cilat më 12 mars duhet të dorëzohen në KQZ, kryesocialisti Rama tha se në fushë do të hedhin burrat që të mbledhin mandate. Ndërkohë, në lista të mbyllura do ketë gra e vajza, por edhe djem të rinj që do i bashkohen PS.

“Ne burrat, ata që kanë marrë mandate nga PS, do t’i hedhim në fushë që meritojnë mandate. Ndërsa gratë do t’i ndajmë në dy pjesë, gratë që do të jenë nikoqiret e gjithë këtij procesi të 4 viteve të ardhshme dhe që do ta marrin përfaqësimin e PS me mbështetjen e gjithë ne në pjesën e mbyllur të listave dhe vajzat që do jenë pjesë edhe listave të hapura. Në listat e mbyllura do kemi djem, vajza, gra që janë forca e të resë, forca e gruas, forca e një Shqipërie që shikon përtej 2030”, tha Rama.

Nuk la pa ironizuar koalicionin e Berishës, “Alenaca për Shqipërinë Madhështore” kur tha se janë mbledhur rraqet mashkullore dhe e vetmja gjë madhështore aty janë mustaqet e Kujtim Gjuzit.

“Kanë grumbulluar rraqet mashkullore të Shqipërisë në emër të një madhështie që Zoti e di se ku është. Gjëja më madhështore që unë shoh në atë janë mustaqet e Kujtim Gjuzit. Aty e keni kartëvizitën e madhështisë se asaj bauleje me rraqe, ne do kemi një qaje krejt tjetër”, tha Rama.

Duke theksuar se PS është forca që votohet më shumë nga gratë, Rama u bëri thirrje që më datë 11 maj burrat demokratë t’i lënë në shtëpi.

“Do të përsëris thirrjen për gratë që kanë burrat demokratë, burrat mbajini në shtëpi më 11 maj, jo fëmijët për të shkuar në shkollë”, theksoi Rama.

Me ironi komenton edhe thirrjen qesharake të Berishës që fëmijët të mos shkojnë në shkollë për të mbrojtur TikTok, duke thënë se mendja i ka ikur për terital.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu