Sali Berisha ka njoftuar një protestë kombëtare të opozitës, këtë herë kundër vendimit të qeverisë për të mbyllur zyrtarisht me 12 muaj rrjetin social TikTok. Teksa e cilësoi një akt censure, demokrati Berisha ftoi të gjithë të rinjtë që t’i bashkohen kësaj proteste historike që do mbahet më 15 mars.
Sali Berisha: Sot në kulmin e fushatës elektorale, narkopadrinoja i Shqipërisë, Toto Rino apo El Çapo, njoftoi vendimin e narkoqeverisë së tij për ndalimin e TikTokut për 12 muaj.
Me këtë akt censure të mbi 1 milion përdoruesve të TikTokut në Shqipëri, Edi Rama rreshton Shqipërinë me Afganistanin dhe Iranin. Ky akt censure është një akt i mirëfilltë fanatizmi, intolerance, frike dhe tmerri nga mendimi i lirë dhe shprehja e tij.
TikTok është një platformë komunikimi, e cila ka pushtuar sot, ka pëlqimin masivisht të të rinjve në Shqipëri dhe në botë. Të pretendosh se po ecën drejt Europës dhe të rreshtosh Shqipërinë me Iranin, Afganistanin, Somalinë, bën një akt monstruoz kundër fjalës së lirë, një censurë dhe dëshmon se udhëtimi evropian i Shqipërisë është një hipokrizi për ty.
Rikujtoj këtu se zëvendëspresidenti i SHBA, JD Vance, në fjalën e tij në Mynih, konsideroi mbylljen e medieve sociale si një antivlerë shumë të rrezikshme për shoqëritë e lira, fjalën e lirë dhe mendimin e lirë. T’u heqësh shqiptarëve të drejtën e përdorimit të TikTokut dëshmon se çfarë arbitrariteti. Ripërsërit ekzakt atë që bënte Enver Hoxha, Spiro Koleka, Kristaq Rama gjatë diktaturës, të cilët valëve të radios dhe televizioneve perëndimore u vinin zhurmues në të katër anët e vendit. Me këtë rast ftoj të gjithë gjimnazistët, të gjithë të rinjtë, të gjithë qytetarët të nisim betejën për çlirimin e TikTokut dhe përmbysjen e narkodiktatorit. Me datën 15 mars protestë e përgjithshme kombëtare në sheshin ‘Skënderbej’ para kryeministrisë. Një protestë në të cilën kërkohet anulimi i menjëhershëm i vendimit për censurën dhe bllokimin e TikTokut.
Ftoj gjimnazistët, ftoj të rinjtë, ftoj dhe prindërit të mos bëhen viktimë e mashtrimit banal, të paskrupullt, të pacipë të Edi Ramës. Vdekja, vrasja tragjike e Martin Canit në dyert e shkollës nuk kishte asnjë lidhje me TikTokun. Martini dhe bashkëmoshatari i tij që e vrau nuk kishin llogari në TikTok. Edi Rama firmosi sot mbylljen e TikTokut në Shqipëri njëlloj si babai i tij biologjik Kristaq Rama firmosi vrarjen në litar të Havzi Nelës 37 vite më parë me 10 gusht të vitit 1988. Protesta e fuqishme e të rinjve shqiptarë, në të katër anët të mblidhen këtu, ndërkohë përgjigje të tjera do projektohen ndaj këtij akti, dënimit kapital të një platforme të mrekullueshme të komunikimit. Një tiran që qeveris vendin sikur është Afganistani apo Teherani, vetëm e vetëm për shkak të rrebeshit të kritikave që ka pasur nga të rinjtë me një akt të tillë. Fjala e lirë do të fitojë. Mendimi i lirë do fitojë. Censura do përfundojë në koshin e plehrave të historisë së bashku me Edi Ramën, i cili vërtetohet tani pas Enver Hoxhës, kryecensori tjetër i shqiptarëve.
Këtë e zgjidh rinia. Do e zgjidhin përdoruesit e TikTokut kur ky mizor e mbyll me të njëjtën urrejtje për mendimin ndryshe, njëlloj si i ati i tij që firmosi varjen e poetit në litar. Dhe ju lutem, meqenëse jeni këtu, ja ku i keni 1400 pyetje dhe komente, në të cilat nuk ekziston asnjë nga pyetjet që i është bërë Edi Ramës në monologun e tij, pyetjet e shpikura nga vetja e tij, pyetjet që i bën vetes për të shmangur gazetarët dhe për të bërë sikur i ka zëvendësuar ata me qytetarët. Ju lutem shumë qytetarëve të shohin këtë mashtrues publik, i cili meriton vetëm për këtë të lërë detyrën. Por ai nuk ka dinjitet, nuk ka moral, nuk ka asgjë përveç mashtrimit që u bën qytetarëve shqiptarë.