Përmirësimi i infrastrukturës vendore dhe transportit në zonën e Alpeve me fokus kryesisht në fshatin Bogë është pjesë e kontratës së radhës të shpallur në sistemin e prokurimeve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në këtë sistem u bë e ditur se kjo procedurë do të jetë me një fazë dhe është pjesë e projektit që financohet me një kredi nga BERZH për qeverinë shqiptare, si dhe me grante dhe asistencë teknike të Bashkimit Europian që arrin 40 milionë euro. Projekti ka për autoritet nënkontrakor Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
Kontrata “Infrastruktura bashkiake dhe transporti, duke përmirësuar aksesueshmërinë dhe infrastrukturën e turizmit të aventurës në Alpet Shqiptare” është pjesë e programit për mundësimin e infrastrukturës në zona me potecial turizmin.
“Projekti do të zhvillohet në fshatin Bogë, i cili është pjesë e Bashkisë Malësi e Madhe dhe ndodhet brenda kufijve të Zonës së Mbrojtur të Alpeve Shqiptare.
Shtrihet në pjesën verilindore të territorit të Malësisë së Madhe në një terren malor. Fshati Bogë shtrihet në një luginë të gjerë me të njëjtin emër, në lartësinë 950 m mbi nivelin e detit, i rrethuar nga majat e Alpeve Shqiptare, të cilat arrijnë nga 2000 deri në 2500 m lartësi” thuhet në sqarimin më të detajuar të njoftimit të kontratës.
Vetëm pak ditë më parë pjesë e të njejtit projekt ishte edhe përmirësimi i sistemit të shpërndarjes së energjisë po në rajonin e Alpeve.
Bëhej fjalë për njotimin e kompanisë fituese që do të zbatojë këtë projekt kundrejt një kontrate me vlerë 2.2 milionë euro. Kontrata “Rrjeti i ri i shpërndarjes për të rritur aksesin në energji elektrike në Alpet Shqiptare” u fitua nga bashkimi i shoqërive Enbi Power & ACI Engineering shpk.
Të tjera rajone ku po ndërhyhet përmes këtij projekti janë Parku Kombëtar i Tomorit, rruga Zogaj-Shirokë-kufi me Malin e Zi apo Parku Ligatinor në Shkodër./Monitor.al