Nga 294 mijë kërkesa, rreth 233 mijë janë miratuar zyrtarisht duke mundësuar pjesëmarrjen në votimin e procesit zgjedhor të 11 majit. Në mungesë të një dakordësie, rreth 42 mijë aplikant janë lënë jashtë procesit, ndërsa 16 mijë të tjerë janë ende në shqyrtim.
Edhe pse Partia Demokratike propozoi një afat të ri shtesë për të mundësuar më shumë kohë për regjistrimin e emigrantëve me 5 ditë shtesë, nuk u arrit një dakordësi miratimi mes anëtarëve të komisionit rregullator, duke lënë jashtë procesit edhe ato 42 mijë aplikime që kishin provuar njëherë të regjistroheshin por nuk e kishin përfunduar me sukses.
Në një proces të realizuar për herë të parë, nga 11 Janari deri më 4 Mars të këtij viti, të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë në diasporë kishin mundësinë të regjistroheshin në platformën elektronike për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjen për të dërguar fletën e votimit shtetasve të regjistruar dhe afati për depozitimin e kandidatëve që do të jenë në garë me subjektet politike do të mbyllet më 12 mars.
Ndërsa afati për miratimin e listave shumëemërore përfundon më 25 mars.
Partitë kryesore në vend, përfshirë edhe disa prej forcave të reja, kanë realizuar takime të njëpasnjëshme në mbarë diasporën.