Lezha ka përkujtuar 581-vjetorin e Besëlidhjes së Princave Shqiptarë, një ngjarje historike e cila simbolizon luftën kundër regjimit otoman. Ky përvjetor i rëndësishëm bashkoi autoritete nga të gjitha trevat shqipfolëse, përfshirë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me një delegacion të gjerë arbëreshësh nga Italia.
Veprimtaritë nisën me vendosjen e kurorave me lule dhe homazhe pranë vendvarrimit të Gjergj Kastriotit. Pas kësaj, të pranishmit u drejtuan për në lulishten përballë memorialit, ku u zbulua dhe përurua shtatorja e Skënderbeut.
Duke iu referuar 2 marsit të vitit 1444, Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, theksoi se falë amanetit të Gjergj Kastriotit, aleanca mes shqiptarëve vijon të jetë e fortë edhe në ditët e sotme.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi rëndësinë e një qëndrimi të përbashkët për të forcuar rolin e shqiptarëve në rajon dhe në botë.
Aktivitetet në nderim të Besëlidhjes së Lezhës u përshëndetën gjithashtu nga përfaqësues të Qeverisë Shqiptare dhe autoritete të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Lugunisë së Preshevës.
Veprimtaritë përkujtimore të 581-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës vazhduan në sheshin “Gjergj Kastrioti”, ku të pranishmit vizituan panairin e artizanatit dhe u mbajt një koncert muziko-letrar në nderim të figurës së Gjergj Kastriotit.