Policia e Shtetit njofton se ka pezulluar pa pagesë 3 efektivët e policisë të përfshirë në trafikun e drogës, 2 prej të cilëve u arrestuan dhe një është në kërkim.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, thuhet se “bazuar në nenin 121 të Ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit” dhe në nenin 222 të Rregullores së Policisë, ka bërë menjëherë pezullimin pa pagesë të tre punonjësve të policisë, konkretisht: Sh. R., me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë. E.A., me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë dhe E.D., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, i shpallur në kërkim.
Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë ndaj këtyre punonjësve.
“Policia e Shtetit vijon bashkëpunimin me të gjitha agjencitë ligjzbatuese për evidentimin dhe largimin nga radhët e saj të punonjësve që cenojnë imazhin e Organizatës së Policisë së Shtetit”, përfundon njoftimi publik i policisë së shtetit.