Edi Rama dhe Sali Berisha janë zyrtarisht rival ne zgjedhje duke regjistruar partitë e tyre për parlamentaret e 11 majit.
Treni elektoral i socialistëve nuk ka vagonë pas vetes, ndryshe nga treni blu, i cili ka pas vetes edhe aleatet e tij. I pari Ilir Meta, i cili hodhi firmën nga burgu 313 për të regjistruar partinë e tij në garën e pranverës.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit do jenë më shume se dy pole, ku Dashamir Shehi dhe Enkelejd Alibeaj njoftuan koalicionin e tyre parazgjedhor, ku Lulzim Basha nuk bën pjese. Djathtas 1912 dhe LZHK vendosën të hyjnë bashkë në zgjedhje, por një derë hapur lanë dhe për ish-kryetarin demokrat, i cili se ka ndarë ende mendjen pasi kërkon që t’i prijë ai aleancës.
“Zoti Basha e ka derën hapur. Kemi pasur ndryshime në pikëpamje. Kam vendosur një lloj kondicionimi që e drejtojme ne. Kjo është e gjitha, ska gjë sekret ketu. Nëse do të pranojë kushtet tona, që është platformë bashkëpunimi, janë të mirëpritur. Unë do ftoja dhe palë të tjera. Ka kohë për të reflektuar”, tha Shehi.
Me apo pa koalicion, Lulzim Basha do jetë pjesë e zgjedhjeve si kryetari defakto i partisë Koalicioni Euroatlantik, që drejtohet nga i besuari i tij, Endri Hasa me shpresën që gjykata do i rikthejë Partinë Demokratike në kohë.
Pranë KQZ ka mbërritur edhe kërkesa e Partisë Djathas 1912, ku edhe Enkelejd Alibeaj nuk rezulton kryetar me letra duke ia lënë në dorë partinë juristit Rezart Kthupit.
Këtë të hënë KQZ i dha dritën jeshile 15 subjekteve politike për të qenë pjesë e garës së 11 majit, ndërkohë të martën është radha e Bashës dhe Alibeajt për tu zyrtarizuar si pjesë e betejës së pranverës.