Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka bërë mesazh lutjeje për shërimin e Papa Françeskut. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali shprehet se zëri i Papës është një jehonë e fortë e së vërtetës për mbarë njerëzimin.
Kujtojmë se Papa Francesku ndodhet në spital në gjendje të rënduar shëndetësore, pas një komplikacioni që shfaqi ditët e fundit.
Mesazhi i Spiropalit:
Shenjtëri Papa Françesku,
Në këto ditë kur nga e gjithë bota arrijnë mesazhe e lutje për shëndetin Tuaj, po J’u dërgoj një të tillë nga një vend i dashur për Ju, që e zgjodhët të parin në Europë për ta vizituar. E përcjell këtë mesazh e këtë lutje për shëndetin Tuaj në emër të një fjale: “pritje”. Pritja është një fjalë e fuqishme e mjaft kuptimplotë në Ungjill. Shqiptarët Ju priten me dashuri e zemër të ngrohtë në shtatorin e 2014-s. Pritën martirët e besimit bekimin e shpalljen e lumnimit Tuaj për ta.
E tani me plot shpresë presim edhe ne shërimin Tuaj! Udhëheqja shpirtëtore e Kishës Katolike dhe referenca Juaj morale për krejt botën është përherë e rëndësishme, por veçanerisht sot kur kohërat po dëshmojnë se asnjë arritje shoqërore e politike në mbrojtje të së mirës së përbashkët dhe të dinjitetit të njeriut nuk duhet të merret kurrë e mirëqenë.
Zëri Juaj është një jehonë e tingull i fortë i së vërtetës, ndaj lutja ime i bashkohet lutjeve të familjes së madhe shpirtërore që ju qëndron afër.
Mënyra sesi Ju i jeni qasur momenteve të vështira të shëndetit është një dëshmi e rrallë se si çdokush duhet ta përballojë sëmundjen. E kujtoj përherë, nëpërmjet mediave, buzëqeshjen Tuaj në dyert e spitalit. Të buzëqeshur Ju presim duke dalë prej tij.
Krishti në Ungjill ka shëruar përherë me dashuri, ndaj me dashamirësi të thellë Ju uroj shërim të shpejtë e të plotë./newspower.al