Të hënën kryeministri Edi Rama do të vizitojë Shkodrën për të dytën herë brenda këtij viti, ku do të zhvillojë një seri takimesh, që në fokus kanë inspektimin e punimeve në disa prej investimeve publike të nisura, si dhe të tjerave që pritet të nisin brenda pak ditësh. Burime nga kryeministria bëjnë me dije për newspower.al se të hënën e 10 shkurtit, Rama e nis ditën nga rruga e Komanit, një investim i KESH dhe FSHZH. Ai është një nga investimet më të rëndësishme dhe të shumë pritura për këtë zonë, pasi i shërben jo vetëm lidhjes me HEC Koman, një nga veprat më të rëndësishme energjitike, por edhe turizmit, pasi Lumi i Shalës është një nga destinacionet turistike më të preferuara gjatë muajve të verës. Pas rrugës së Komanit, kryeministri pritet të mbërrijë në mesditë në bashkinë Shkodër, ku do të ketë në hollin e kësaj të fundit një takim me sipërmarrës dhe drejtues vendor, ku pritet të prezantohen projektet e reja për këtë qytet, nga hyrja e Shkodrës me specifikimet e reja, tek projekti i ri për muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës etj. Agjenda zhvendoset më pas në Fermentim ku do të inspektohen disa rrugë që po realizohen nga ministria e linjës në bashkëpunim me bashkinë, si dhe përmbyllet me rrugën Shirokë – Zogaj, ku edhe atje punimet po ecin me ritme të kënaqshme. Vizitën në Shkodër mësohet se kryeministri do ta mbyll me strukturat e PS në selinë rozë, ku ndizen motorët për fushatën elektorale. Ai ka qënë më herët kritik me regjistrimet e diasporës dhe ky pritet të jetë një fokus i vecantë diskutimi për të shfrytëzuar ditët e mbetura. Nuk dihet ende nëse Rama do të vendosë në këtë mbledhje të bëjë publik edhe vendimin e tij për të kandiduar në Shkodër, e shumë përfolur si cështje në media.