Rama si Toto Rina ia ka dorëzuar Shqipërinë krimit, ndërsa vendi përballet me rreziqe ekzistenciale. Nga Roma ku ndodhet në një takim me diasporën, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se përdor krimin për të mposhtur shqiptarët me synimin për të mbajtur pushtetin e tij.
“Sot në zyrën e kryeministrit nuk është një qeveritar nuk është një qytetar shqiptar. Miqtë e mi, sot kryetari i qeverisë mund të quhej në mënyrë absolute Toto Rino, çfarë të doni ju. Ky është Edi Rama. Edi Rama ia ka dorëzuar Shqipërinë krimit në traditën e baballarëve të tij, të cilët krimin politik, varjen në litar, ekzekutimin para skuadrave të pushkatimit e quanin të dobishëm. Edi Rama përdor sot krimin për të mposhtur shqiptarët sot për pushtetin e tij. Sot Toto Rinat shqiptarë apo El Çapot shqiptarë në krye të qeverisë shumëzojnë me zero qytetarët shqiptarë. Pronat dhe çdo pasuri përrallore e ndan me trafikantët, e ndan me kriminelët, e ndan me klanet e tij. Miqtë e mi, rreziqet e sotme të Shqipërisë janë rreziqe ekzistenciale. Shqipëria gjithmonë ka pasur rreziqe, por këtë herë të gjitha rreziqet janë mishëruar në një njeri dhe ky njeri është El Çapo shqiptar apo Toto Rino shqiptar”
Berisha e vuri theksin mbi rreziqet ekzistenciale që po përballet Shqipëria dhe shprehu shqetësimin se një mandat i katërt për Edi Ramën do të çojë në një shkatërrim të mëtejshëm të vendit. Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi se në 10 vitet e fundit, Rama ka dëbuar 45% të shqiptarëve, duke i detyruar të braktisin Shqipërinë dhe se në një mandat tjetër, Shqipëria mund të shndërrohet në një vend të pushtuar nga krimi dhe bandat.
Berisha ftoi shqiptarët që të ngrihen kundër qeverisë dhe të votojnë më 11 maj për të shpëtuar Shqipërinë nga kërcënimet që paraqet Rama.
Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi se do të ofrojë zero taksa për shqiptarët që rikthehen në Shqipëri dhe do t’u mundësojë ndihmë për ndërtimin e një të ardhmeje të suksesshme. Berisha theksoi se diasporës nuk mund t’i hiqet e drejta e votës dhe akuzoi Edi Ramën për frikë ndaj shqiptarëve jashtë vendit. Berisha shpjegoi se do të realizojë një transformim të thellë të Shqipërisë, duke garantuar se do të ketë rritje të pensioneve dhe pagave, duke arritur minimumin jetik dhe rrogën mesatare për t’i ndihmuar shqiptarët të jetojnë më mirë. Kryedemokrati bëri thirrje për një Shqipëri pa taksa për emigrantët dhe tha se ata do të jenë aksionerët kryesorë të transformimit të vendit.