Ballina Politike KOSOVA VOTON / 28 subjekte politike në garë, zgjedhjet e para të...

KOSOVA VOTON / 28 subjekte politike në garë, zgjedhjet e para të rregullta që nga shpallja e Pavarësisë

Rreth dy milionë qytetarë me të drejtë vote, do u drejtohen kutive të votimit prej orës 07.00 të mëngjesit në Kosovë, për të zgjedhur 120 ligjvënës mes 28 subjekteve politike në zgjedhjet parlamentare, të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Mes 28 subjekteve politike janë 20 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur. Në mesin e këtyre subjekteve, përpos partive shqiptare, marrin pjesë edhe subjekte politike nga komuniteti serb, turk, boshnjak dhe komunitete të tjera më të vogla në vend. Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2.075.868 votues. Numri i votuesve të rinj që do të mund të votojnë për herë të parë është 125.852 persona.

Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, kur heshtja zgjedhore fillonte një ditë para votimeve, me ndryshimet ligjore të këtij viti, ajo tashmë ka nisur para hapjes së qendrave të votimit – pra sot, në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00.

Në këto zgjedhje, qytetarët me të drejtë vote kanë mundësinë që të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë, ndryshe nga votimet e kaluara kur mundësia ishte të zgjidheshin deri në pesë kandidatë.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të monitorohen nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian. Ato janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks