Ditën e djeshme, fshati Gruemirë në Malësinë e Madhe u trondit nga dy ngjarje të njëpasnjëshme, të kryera nga të njëjtët autorë. Mëngjesin e së shtunës, dy persona të maskuar, duke lëvizur me motor, iu afruan banesës së familjes Kurtaj dhe qëlluan me shotgun drejt kamerave të sigurisë, përpara se të largoheshin drejt një zone malore. Mbrëmjen e po asaj dite, të njëjtët persona u rikthyen nga zona malore, por këtë herë u përballën me tre djemtë e familjes, Mirsad, Besim dhe Edison Kurtaj, të cilët i pritën në rrugë me automjetin e tyre. Kur autorët kuptuan se po ndiqeshin, qëlluan me breshëri në ajër dhe në tokë, ndërsa ndjekja mes tyre zgjati rreth 10 minuta. Në një moment, njëri prej agresorëve humbi kontrollin dhe u rrëzua nga motori, por arriti të largohej përmes fushave të mbjella të fshatit. Policia e Malësisë së Madhe ka nisur hetimet dhe është vënë në ndjekje të autorëve, ndërkohë që tre vëllezërit Kurtaj, në deklaratën e tyre, thanë se nuk e dinë identitetin e sulmuesve. Në vendngjarje si provë materiale policia gjeti disa gëzhoja, ndërsa pritet që në ndihmë për identifikimin e autorëve ti vijnë kamerat e sigurisë të familjes Kurtaj. Megjithatë mbetet e vështirë për grupin hetimor, pasi zona në tërësi është e pambuluar me kamera sigurie.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu