Puka, qyteti alpin në veri të Shqipërisë, është kthyer në destinacion të preferuar nga turistët e huaj, por edhe vendasit. E preferuar jo vetëm për natyrën fantastike, peizazhet e mbuluara me dëborë këtë janar, gastronominë e pasur dhe ushqimet tradicionale, tashmë Puka turistike ofron edhe një tjetër atraksion për të shijuar bukuritë e këtij vendi, Zip Line.
Kryeministri Edi Rama, ka ndarë pamjet nga një grup i madh turistësh që kanë zgjedhur të shijojnë Pukën, si destinacionin turistik të këtij muaji, ndërsa një prej risive është edhe Zip Line, një mënyrë për të parë përmes xhiros në zipline, bukuritë e qytetit të Pukës.
Kryeministri Rama thotë se ky zipline në Pukën Turistike është instaluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe do të pasohet shumë shpejt nga instalimet në Divjakë, Durrës, Elbasan, Belsh, Valbonë e Voskopojë.
Parku i aventurave ku përfshihet edhe zipline prej 1,2 km dhe shpejtësi mesatare mbi 80-110 km/h ndodhet pranë liqenit të qytetit, në kodër Hanin dhe kodër Mehaj dhe nxjerr në pah potencialin turistik malor që ka kjo zonë duke e kthyer në një destinacion turistik familjar.
Investimi i FSHZH përfshin ndërtimin e Parkut të Aventurës i përshtatur dhe i projektuar për të qenë pjesë e natyrës, duke përdorur sa më shumë elemente natyrore që i japin vlera turizmit malor dhe transformimit urbanistik të qytetit në një qytet të mirëfilltë alpin me standarde evropiane. Ideimi i këtij projekti nisi si një iniciativë për t’i dhënë më shumë vlera dhe zhvillim turistik-ekonomik të zonës së Pukës.
Puka është një qytet alpin në veri të Shqipërisë, 145 km nga Tirana. Ajo mbetet e preferuara e adhuruesve të malit, ajrit të pastër, qetësisë dhe frymëzimit nga natyra, për të përballuar më tej ditët e lodhshme të punës dhe zhurmat e qyteteve të mëdha. Puka njihet për masivin e madh pyjor të pishave, me një sipërfaqe prej 400 hektarësh. Vetitë kurative të pishës janë të shumta.
Vendi parë për t’u eksploruar është liqeni i qytetit, i sistemuar me vende pushimi mes bredhave të lartë, prej nga mund të ngjitesh në Kodrën e Hanit për të eksploruar pistën natyrore të skive apo livadhet dhe kodrat që nuk ndodhen larg qytetit.
Puka shërben edhe si bazë për ushtrimin e alpinizmit, në malin e Munellës, Bjeshkët e Tërbunit dhe mali i Krrabit.