Gjashtë muaj nga nisja e fushatës elektorale, partitë kryesore në Shqipëri gjenden mes debateve dhe riformatimit.
Partia Socialiste prej kësaj të hëne ka nisur fushatën në terren, ndërsa në Partinë Demokratike palët janë ende të ndara.
Drejtuesit demokratë të qarqeve i kanë kërkuar kryesisë së PD dhe grupimit të Alibeaj të përfundojnë negociatat për ti hapur rrugë takimeve me mbështetësit.
Madje ata e shikojnë ndarjen në qendër dhe jo në bazë.
Topalli: Është një bazë shumë e mirë me të cilën mund të punohet për të fituar edhe bashkinë e Lezhës, edhe në Kurbin, edhe në Rrëshen.
Spaho: Situata ka një përmirësim të jashtëzakonshëm në krahasim me një vit përpara. Ne e dimë që në grupin parlamentar ka një ngërç dhe kapërcimi i këtij ngërçi vjen vetëm përmes bisedimeve, gjetjes së një të mesme të përbashkët.
Drejtuesi i qarkut Fier ka edhe një propozim për kundërshtarët brenda llojit.
Baçi: Të zbresim bashkë në bazë e të diskutojmë, do të jetë një gjë e mrekullueshme që e presin anëtarët. Madje do të isha gati ti lija dhe vendin tim si drejtues qarku, vetëm të vinte.
Të pyetur nëse do të kandidojnë për të garuar përballë maxhorancës në bashkitë e vendit, konfirmojnë se do ti nënshtrohen primareve.
Spahia: Do ta vendosin demokratët e Shkodrës. Dyert e PD janë të hapura për çdo demokrat, i cili vendos ti bashkohet shumicës.
Krahas mbledhjes së Kryesisë që pritet diskutojë të martën mbi organizimin e primareve, bisedime do të zhvillohen dhe mes negociatorëve Edi Paloka e Gazment Bardhi.
Prej aty do të shihet nëse do të ketë tym të bardhë për selinë blu, apo krisja do të vijojë.