Kreu i qeverisë, Edi Rama ishte i pranishëm në konferencën rajonale “Formësimi i së Ardhmes së GovTech”.
Kryeministri tha se qeverisja digjitale në Shqipërinë që mori përsipër të udhëhiqte, nuk ishte akoma në belbëzimat e para.
Rama theksoi se sot jemi në një fazë tjetër. Falë përparimit të teknologjisë, Shqipëria mundi të përballonte sulmin kibernetik nga Irani. Rama gjithashtu bëri me dije se rruga drejt BE-së është bërë më e lehtë falë një instrumenti krej të ri, të papërdorur në asnjë shtet tjetër, që është një model i ndërtuar enkas prej Shqipërisë, i Inteligjencës Artificiale.
Rama: Sa herë vjen rasti për të diskutuar për këtë temë, menjëherë më kujtohet periudha e pandemisë. Përpiqem të marr me mend se çfarë do të kishte mundur të bënte Shqipëria nëse nuk do të ishim në nivelin e përparimit digjital ku na gjeti ajo goditje globale. Shqipëria që ne morëm përsipër të udhëheqim ishte një vend ku qeverisja digjitale nuk ishte akoma në belbëzimat e para. Ajo që sot është porta e madhe e hyrjve dhe daljeve të shqiptarëve në gjithë labirintet e administratës publike përmes kompjuterit apo telefonit, e-Albania, ishte asokohe një qenie e papërfillshmë në raport me nevojat e administarës dhe qytetarëve për të ndërvepruar me njëri-tjetrin, me një numër qesharak shërbimesh dhe me një numër qesharak përdoruesish. 3.2 milionë ndërveprues janë një shifër shumë kuptimplotë dhe madje një shifër jo karakteristike edhe për vende shumë më të zhvilluara.
Ky është edhe bekimi ynë, i vendeve në zhvillim, për të kapur trendin e progresit por edhe për të përparuar me një shpejtësi më të madhe se sa ata që janë prej kohësh në tredin e progresit. Duke marrë parasysh se si ishin radhët në Shqipëri qoftë edhe për të marrë një certifikatë lindjeje, e merrni vetë me mend se çdo të kishte ndodhur në kohën e pandemisë nëse nuk do të kishte qenë e mundur që të realizohej mbrojtja përmes izolimit falë teknologjisë dhe nëse të gjithë do të duhej të dilnin dhe të ishin së bashku në radhë për të gjitha shërbimet dhe pagesat. Sot jemi në një fazë tjetër dhe faktikisht diskutojmë për gjëra të tjera. Do të ishim në një situatë të ndryshme nëse kur u goditëm nga një prej fuqive më të mëdha dhe më malinje që ka në botën e sotme, Irani, nuk do të kishim qenë në gjendje të rezistonim, por rezistuam.
Pse kemi vendosur një bazë të tillë, jemi në kushtet kur po hedhim hapat e parë të një faze të re të revolocionit në teknologji. Sot aktualisht ne po bëjmë procesin e integrimit në BE në fazën e negociatave për anëtarësim, falë edhe një instrumenti krej të ri, të papërdorur në asnjë shtet tjetër, që është një model i ndërtuar prej nesh enkas i Inteligjencës Artificiale. Ky model na jep mundësinë të realizojmë në një kohë shumë më të shpejtë të gjithë procesin e transferimit të gjithë trupit legjislativ të BE, të realizojmë përkthimin në kohë rekord dhe të kemi në kohë rekord analiza të teksteve për ato aspekte që na interesojnë lidhur me impaktin e këtyre ligheve të reja që duhen transferuar në trupin legjislativ të Shqipërisë.