Policia e Tiranës zbardh vrasjen e Eduart Reçit, i ekzekutuar me një plumb pranë Rrugës së Elbasanit. Te arrestuar vellezërit Shkelqim dhe Florian Duka.
Njoftimi i policise
Tiranë
Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 13.11.2024, ku në rrugën “Faik Konica”, u plagos me armë zjarri shtetasi E. R., i cili si pasojë e plagëve marra ndërroi jetë në spital.
Vihen në pranga dy vëllezër, të dyshuar si autorë të ngjarjes.
Sekuestrohen prova materiale që shërbejnë për dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor në drejtimin Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve, ju informojmë se:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës bazuar në provat e grumbulluara nga hetimi intensiv, arrestuan shtetasit Sh. D., 48 vjeç, (oficer Policie) dhe F. D., 45 vjeç, (vëllezër),të dy banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78 e 25 dhe 278/1/4 të Kodit Penal.
Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, administrimit të provave dhe ekzaminimeve të ndryshme kriminalistike, administrimit të dokumenteve, grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të personave si autorë të dyshuar të kësaj ngjarje.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës, më datë 23.11.2024 është ushtruar kontroll në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi E. R., po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës).
Ndër personat me të cilët shtetasi E. R., kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit F. D., dhe Sh. D.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Kronologjia e ngjarjes:
Biznesmeni u vra me 13 nentor poshte pallatit ku banon ne Tirane. 52-vjeçari me origjinë nga Dibra mori një tek plumb që i përkshkroi tej për tej në kokë dhe ndërroi jetë në spitalin e Traumës rreth orës 04:00 të mëngjesit të 14 nëntorit. Në fillim u kujtua se ishin fishekzjarre, edhe sipas dëshmisë së të afërmve të viktimës, por një plumb nga distanca, dyshohet me pushke snajper, e shembi përtokë biznesmenin.
Reçi kishte punuar më hertë si drejtor në SHISH, teksa krimi u hetua në disa pista.
Grupi hetimor ka sekuestruar kamera sigurie të bizneseve pranë, kryesisht bar kafe, por për shkak të errësirës deri më tani është parë e vështirë të kapet pamje e autorit ose autorëve.
Por pamjet kanë fiksuar Eduard Recin teksa ecën, dhe bie në tokë pas një të shtëne, zhurma e së cilës dëgjohet edhe në disa kamera sigurie që regjistrojnë me zë.
Në pyetje janë marrë familjarët e tij, të cilët kanë mohuar që të kenë dijeni përplasje apo konflikte të Eduard Reçit me persona të tjerë. Vite më parë, burimet thonë se Reçi ka qenë në krye të një drejtorie të SHISH në vitin 1996, por autoritetet ende nuk janë orientuar drejt vrasjes për shkak të kësaj detyre që ai ka mbajtur. Pas vitit 2000 ai ishte marrë me biznes.
Burime thonë se Reçi me firmën “ELGM” ka ndërtuar edhe disa pallate të tjera në Tiranë.