Ministria e Bujqësisë ka dhënë detaje të reja në lidhje me dyshimet për raste të gripit të shpendëve. Pas marrje në analizë të 13, 907 fermave për mbarështim shpendësh, njoftohet se nuk janë ndeshur dyshime klinike.
“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka evidentuar probleme gjatë 70 kontrolleve në tregtimin e produkteve ushqimore, me origjinë nga shpendët: vezë dhe mish pule. Kanë mbërritur gjithsej 354 mostra në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, të cilat kanë rezultuar negative. Instituti i Shëndetit Publik nuk ka identifikuar raste të dyshimta apo pozitive me Influencë aviare në njerëz”, thuhet në reagim.
Kjo ministri shton se Shërbimi Veterinar Rajonal ka nxjerrë sot nga karantina vatrën pozitive me Influencë aviare ndërsa tregtimi i mishit dhe vezëve i rikthehet normalitetit.
Njoftimi i plotë:
Njoftojmë publikun se prej datës 30.10.2024, nuk ka pasur shfaqje të reja të Gripit të Shpendëve, në vendin tonë. Menjëherë pas marrjes së njoftimit Alert për konfirmimin e sëmundjes së Influencës aviare në një fermë oborri familjar, në fshatin Mëzez, Njësia Administritative Kashar u morën masa për monitorimin dhe kontrollin e rastit.
Për zbulimin e hershëm të sëmundjes dhe kufizimin e përhapjes së saj, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka marrë masat dhe monitoruar 13, 907 ferma për mbarështim shpendësh, të madhësive të ndryshme apo 135, 651 krerë shpendë, nga të cilat janë identifikuar dhe 39 ferma të reja. Gjatë kontrolleve nuk janë ndeshur dyshime klinike. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka evidentuar probleme gjatë 70 kontrolleve në tregtimin e produkteve ushqimore, me origjinë nga shpendët: vezë dhe mish pule. Kanë mbërritur gjithsej 354 mostra në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, të cilat kanë rezultuar negative. Instituti i Shëndetit Publik nuk ka identifikuar raste të dyshimta apo pozitive me Influencë aviare në njerëz.
Si pasojë e zgjidhjes së rastit, Shërbimi Veterinar Rajonal ka nxjerrë sot në datën 19.11.2024 nga karantina vatrën pozitive me Influencë aviare. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka raportuar në Organizatën Botërore të Shëndetit të Kafshëve marrjen e masave dhe zgjidhjen e rastit. Qëndra Kombëtare e Krizës, mbajti sot në mjediset e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural takimin përmbyllës për rastin Alert dhe analizimin e ecurisë së monitorimit.
Aktiviteti tregtar për shpendët e gjallë, në Bashkitë Tiranë, Vorë dhe Kamëz i rikthehet normalitetit dhe Urdhri i Ministrit Nr. 886, datë 30.10.2024 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”, shfuqizohet.
Pavarësisht, zgjidhjes së shpejtë dhe parandalimit efikas të rastit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural udhëzon shpendërritësit në të gjithë vendin, të marrin masa për zbatimin e biosigurisë në fermat dhe mjediset ku ata mbarështojnë shpendë, si dhe të kryejnë blerjen apo lëvizjen e shpendëve, vetëm pasi të jenë autorizuar nga Veterineri Zyrtar i Shërbimit me Certifikatën Veterinare të Lëvizjes së Kafshëve.
Ftojmë qytetarët për cdo rast dyshimi të raportojnë menjëherë pranë strukturave përkatese. Bëjmë me dije se numri i gjelbër 08003366 dhe adresa e e-mail: [email protected] do të vijojnë t’u shërbejnë fermerëve dhe qytetarëve.