Për të garantuar standard në shërbim në sektorin e turizmit qeveria ka hartuar një plan masash për të mbajtur punonjësit sezonal edhe jashtë sezonit. Propozimi është që shteti të kompensojë punonjësit edhe gjatë kohës që nuk janë në punë për shkak të mbylljes së sezonit.

Turizmi cilësor, jo vetëm në akomodim por edhe në shërbim, do të arrihet vetëm kur të jetë e garantuar fuqia punëtore e kualifikuar.

Ashtu si shumë sektorë të ekonomisë, edhe sektori i shërbimeve ‘vuan’ mungesën e stafit, e sidomos atij të kualifikuar, ndërsa shpesh gjatë këtij viti ju ka shtrirë ‘dorën’ emigrantëve për tu rikthyer të punojnë në hotelet shqiptare, me argumentin se kanë të njëjtat paga si në Greqi.

Problemi i punësimit në këtë sektor është më prezent për shkak të sezonalitetit turistik. Për këtë arsye Ministria e Turizmit, propozon subvencione për këto punonjës edhe jashtë sezonit, skemë kjo e përfshirë në strategjinë e turizmit 2024-2030.

“Ky kuadër duhet të fokusohet te punonjësit sezonalë në industrinë e turizmit, duke siguruar që ata të marrin kompensim të përshtatshëm kur nuk janë duke punuar në mënyrë aktive, si dhe duhet të stimulojë punëdhënësit që të mbajnë forcën e tyre punëtore për sezonet pasuese. Në këtë mënyrë, Shqipëria mund të rrisë sigurinë në punë për punonjësit sezonalë dhe të ruajë një forcë punëtore të kualifikuar për industritë sezonale”, thuhet në strategji.

Synimi i kësaj skemë, është dhënia e një page të caktuar për punonjësit sezonal të turizmit, jashtë pikut, në mënyrë që të garantohet stafi edhe për vitin e ardhshëm.

“Kjo qasje do të ndihmojë në garantimin e një niveli të qëndrueshëm jetese për punonjësit, si dhe do të mundësojë një forcë punëtorë të besueshme për punëdhënësit, duke kontribuar kështu në stabilitetin ekonomik në sektorët me luhatje sezonale”, vijon strategjia.

Ndihmë me subvencione do të jepet edhe për punëdhënësit, kryesisht për ato biznese që përballen me ulje të volumit të punës gjatë sezoneve jashtë pikut. Një tjetër sfidë me të cilën po përballet turizmit, ka të bëjë edhe me studentët që diplomohen në këtë fushë, që nuk i përgjigjen nevojave të tregut.

“Mungesa e punëtorëve të kualifikuar për shkak të emigrimit dhe programeve të papërshtatshme të trajnimit komprometon cilësinë e shërbimit dhe inovacionin. Është i domosdoshëm përafrimi i programeve të arsimit dhe formimit profesional me nevojat e industrisë”, theksohet në strategji.

Sektori i turizmit ka të punësuar afro 43 mijë punonjës, dhe synimi është që ky numër të rritet në afro 74 mijë punonjës në vitin 2030, kjo si rezultat i rritjes së kërkesës për shërbime turistike, rritja e numrit të studentëve që ndjekin arsimin për hoteleri-turizëm, si dhe dëshira në rritje për të punuar në këtë sektor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu