Mjete elektrike që klasifikohen njëlloj me biçikletat, por nga ana tjetër ecin në rrugën e automjeteve, nuk respektojnë sinjalistikat dhe janë kthyer në një problem serioz duke u përfshirë në aksidente të shumta.

Të njohura ndryshe si monopatina dhe që kryesisht drjetohen nga të mitur dhe të rinjë, këto mjete përbëjnë një shqetësim të përditshëm për drejtuesit e mjeteve.

Kjo për faktin se monopatinat duhet që të qarkullojnë në korsinë e biçikletave, por në shumë raste ata dalin në rrugë apo në trotuare.

“Patinat elektrike dhe çiklistët janë në një kategori duke qënë se nëpërmjet nenit 180 apo 188 të Kodit Rrugor kemi marrë masa ndaj këtyre fenomeneve duke i ndëshkuar në ato segmente rrugore ku kanë korsinë e dedikuar për biçikleta dhe qarkullojnë në akset ku është e lejuar qarkullimi për automjetet”, thotë Gerhard Baka, specialist i trafikut urban.

Rreziku rritet më shumë në faktin se këto mjete drejtohen në akset rrugore nga të mitur si dhe nxënës të 9-vjeçares, moshë e cila ende nuk ka njohuri për sinjalistikat e Kodit Rrugor.

“Kemi propozuar që mosha minimale të jetë mosha 16-vjeç dhe sigurisht duke përdorur rregullat e qarkullimit rrugor sikundër kanë detyrim të gjithë përdoruesit e rrugës të përdorin rregullat dhe dispozitat e Kodit Rrugor”, shpjegon ai.

Semafor të kuq, mosrespektim të korsive, përdorim celulari. Këto janë shkeljet më të shumta të kryera nga drejtuesit e monopatinave. Por nuk mungojnë as rastet kur në këtë mjet hipin dy persona, një gjë rreptësisht e ndaluar.

“Kategorikisht nuk duhet lejuar që në patina elektrike të qarkullojnë më shumë se një person, sepse është burim për ngjarje rrugore dhe risk i shtuar për aksidente”, shprehet Baka.

Edhe pse janë mjete elektrike, policia rrugore shprehet se disa lloje të monopatinave mund të ecin me shpejtësi të lartë duke kapur edhe 100 km/h, një normë tejet e rrezikshme për jetën e qytetarëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu