Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci e nisi detyrën me aksione kundër lirimit të hapësirave publike. Pjesë e aksionit ishte heqja e shitësve ambulantë në sheshin “Hafiz Sabri Koçi” në lagjen Rus.

“Sot në Rus, në sheshin” Hafiz Sabri Koçi”. Për shitësit ambulantë janë sistemuar vendet përkatëse brenda tregut, ndërsa trotuaret u janë kthyer qytetarëve., shkruante Beci, pak javë pasi kishte marrë zyrtarisht detyrën e kryebashkiakut. 

Aksionin për lirimin e trotuarëve nga shitësit ambulantë Beci e shoqëronte edhe me pamje filmike.

Fakt

Nisur nga ndikimi që ka zaptimi i hapësirave publike në jetën e qytetarëve të Shkodrës, Faktoje vendosi të verifikojë premtimin e kryebashkiakut Beci. Ne u rikthyem në sheshin “Hafiz Sabri Koçi” një vit pasi mori jetë aksioni për lirimin e hapësirave. 

Më 17 shtator, në zonën pranë tregut të lagjes Rus hasëm dhjetëra shitës ambulantë nëpër trotuare, në të dy krahët e rrugës.

“Tregun po e riparojnë dhe unë nuk dal çdo ditë këtu. Kur kam ndonjë produkt nga kopshti dal e shes këtu”, tha një e moshuar që kish zënë vend në trotuarin pranë markatës së Rusit në Shkodër. 

Bashkia e Shkodrës deklaron se kontrollet për lirimin e hapësirave publike janë të përditshme veçanërisht në zonat problematike, ku përfshihet dhe sheshi “Hafiz Sabri Koçi”. Nga janari në gusht, bëhet e ditur se policia bashkiake e Shkodrës se ka vendosur 463 gjoba për zaptuesit e hapësirave publike. 

“Policët Bashkiakë kontrollojnë çdo ditë hapësirat publike sipas sektorit ku veprojnë, kontrollet janë të pandërprera çdo ditë.”, pohon Bashkia.

Zaptimi i hapësirave publike në Shkodër  është një problematikë e ndjekur në vazhdimësi nga Faktoje.

Një vit më parë, për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike, Bashkia e Shkodrës krijoi hapësira të përkohshme në tregun Rus për rreth 27 tregtarë ambulantë që ndër vite shisnin në trotuarët përreth zonës.

Por aktualisht markata e Rusit është duke u ndërtuar dhe tregtarët janë zhvendosur në një treg në periferi të qytetit. Ndaj, dhjetëra prej tyre nuk shkojnë në tregun e përkohshëm që ka caktuar bashkia, por kanë zgjedhur të shesin në hapësirat publike dedikuar kalimtarëve.

Përfundim 

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për lirimin e hapësirave publike në Rus, e vlerësojmë si pjesërisht të mbajtur. / faktoje.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu