Keshilli i ministrave ka shpallur peisazh te mbrojtur ujor dhe tokesor, lumin Buna ne Velipoje. Ai eshte pjese e kategorise 5, njelloj si disa zona te tjera te shpallura ne te gjithe vendin.

Vendimi:

SHPALLJEN “PEIZAZH I MBROJTUR UJOR/TOKËSOR” (KATEGORIA V) TË LUMIT BUNA, VELIPOJË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, pikat 2 e 3, dhe 20, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Shpalljen “Peizazh i mbrojtur ujor/tokësor” (kategoria V) të lumit Buna, Velipojë, me sipërfaqe 19 471.17 (nëntëmbëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e një pikë shtatëmbëdhjetë) ha, sipas mbulesës, hartës dhe koordinatave në shtojcat 1, 2 e 3, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Në peizazhin e mbrojtur ujor/tokësor “Lumi Buna, Velipojë” zbatohet shkalla e tretë e mbrojtjes, sipas përcaktimeve të pikës 3, të nenit 20, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, të ndryshuar.

3. Veprimtaritë e ndaluara në peizazhin e mbrojtur ujor/tokësor “Lumi Buna, Velipojë” janë ato të përcaktuara edhe në planin e menaxhimit, të cilat përkeqësojnë, shkatërrojnë dhe/ose çojnë në humbjen e habitateve natyrore dhe janë, si më poshtë vijon:

a) Kultivimi e mbarështimi i specieve invazive dhe joendemike, të cilat mund të dëmtojnë zinxhirin ekzistues të botës së gjallë të zonës së mbrojtur;
b) Fragmentimi i habitateve;
c) Grumbullimit i kafshëve të egra, përveç rasteve me qëllim kërkimor-shkencor ose riprodhimi;
ç) Gjuetia;
d) Mbjellja e llojeve monokulturë (në pyllëzime).

4. Krahas veprimtarive të lejuara në peizazhin e mbrojtur ujor/tokësor “Lumi Buna, Velipojë”, sipas parashikimit të pikës 5, të nenit 20, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, të ndryshuar, janë edhe veprimtaritë e mëposhtme:

a) Veprimtaritë kërkimore-shkencore;
b) Veprimtaritë me qëllim edukimin mjedisor;
c) Veprimtaritë me qëllim monitorimin e gjendjes mjedisore, të ekosistemit, të habitateve dhe të llojeve floristike e faunistike;
ç) Çdo veprimtari që lidhet me ndërhyrjet e nevojshme ose urgjente për përmirësimin e biodiversitetit, rigjenerimit ose shëndetësimit ose çdo veprimtari tjetër për këtë qëllim;
d) Veprimtaritë e zhvilluara në struktura miqësore me biodiversitetin dhe mjedisin;
dh) Veprimtaritë e zhvilluara në struktura akomoduese të turizmit/agroturizmit dhe çdo veprimtari/infrastrukturë tjetër mbështetëse;
e) Veprimtaritë ekonomike, shoqërore, nëpërmjet ndërtimit të strukturave miqësore me biodiversitetin;
ë) Instalime për veprimtari të prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme, si dhe transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë;
f) Ndërtimi i infrastrukturave të transportit miqësore me biodiversitetin, si shtigje biçikletash, shtigje për ecje;
g) Ndërhyrje të lejuara urbane, të rekreacionit apo ekonomike brenda zonës, duke ruajtur karakterin e saj;
gj) Veprimtaritë bujqësore-blegtorale, pylltaria, kullotja;
h) Veprimtaritë që kanë të bëjnë me operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin/ndërtimin e infrastrukturës së ujitjes, kullimit, mbrojtjes nga përmbytja dhe sigurinë e digave;
i) Ngritje e qendrave për mbarështim të peshkut, të llojeve endemike, pasi të jenë pajisur me lejet e nevojshme;
j) Ekoturizmi, si hiking, shëtitje me varkë, zhytje për eksplorim të botës nënujore;
k) Peshkim artizanal, tradicional dhe çlodhës – argëtues;
l) Veprimtaritë kulturore;
ll) Veprimtaritë, të cilat inkurajojnë komunitetin vendor në mirëmbajtjen e zonës;
m) Veprimtaritë e tilla, si ndërtime, trajtimi i ujërave të zeza në ferma, ndërtimi i kanaleve lundruese, autostradave, zonave urbane, si dhe veprimtari të ngjashme me këto, nëse subjekti që kërkon të kryejë veprimtarinë është i pajisur me leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit;
n) Veprimtaritë ushtarake, të cilat mund të ushtrohen pas miratimit me shkrim/pajisjes me leje mjedisi;
nj) Çdo veprimtari tjetër, në përputhje me planin e integruar të menaxhimit të zonës së mbrojtur.

5. Plani i menaxhimit të peizazhit të mbrojtur dhe objektivat e ruajtjes së zonës hartohen nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, në bashkëpunim me ministritë e linjës, me bashkitë, me publikun e interesuar, me shoqërinë civile dhe me pronarët privatë, pronat e të cilëve shtrihen brenda territorit të zonës së mbrojtur dhe miratohen nga ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura, brenda dy vjetësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

6. Forma e administrimit/menaxhimit të territorit të peizazhit të mbrojtur ujor/tokësor “Lumi Buna,Velipojë” është e kombinuar, shtetërore, bashkiake dhe private.

7. Për veprimtaritë e lejuara, të parashikuara në pikën 4, të këtij vendimi, në lidhje me formën dhe mënyrën e përdorimit dhe të gëzimit të shërbimeve të kryera në këtë zonë zbatohen rregullat e përcaktuara me udhëzim të ministrit, të nxjerrë në zbatim të pikës 4, të nenit 57, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, të ndryshuar.

8. Përjashtimisht, për projektet që lidhen me veprimtaritë e lejuara, të parashikuara në pikën 4, të këtij vendimi, për të cilat nevojitet miratim nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, organet përgjegjëse, në vijim të vendimmarrjes së KKTU-së dhe në përputhje me të, hartojnë dhe nënshkruajnë me subjektin zhvillues marrëveshjen përkatëse, që parashikon rregulla për përdorimin e zonës së mbrojtur, ku bën pjesë projekti i miratuar nga KKTU-ja, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

9. Të ardhurat, që krijohen nga përdorimi i zonës së mbrojtur, në varësi të formës së menaxhimit, administrohen dhe përdoren nga institucionet menaxhuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

10. Për vijueshmërinë e veprimtarive, që zhvillohen brenda territorit të peizazhit të mbrojtur ujor/tokësor “Lumi Buna, Velipojë”, me kontrata zhvillimi, të lidhura para hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe të pajisura me leje mjedisore dhe vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, zbatohen parashikimet e ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, të ndryshuar.

11. Vendimi nr.682, datë 2.11.2005, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e lumit Buna dhe territoreve ligatinore përreth tij “Peizazh ujor/tokësor i mbrojtur””, shfuqizohet.

12. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu