Autoritetet britanike kanë vënë në pranga 31 persona, duke shkatërruar një grup që trafikonte qënie njerëzore. Operacioni që zgjati për tre ditë përfshiu një grup agjencish britanike të ligj-zbatimi në Irlandën e Veriut, dhe Britani, Agjencisë së Luftës Kundër krimit, NCA, forca të ndryshme policore britanike dhe partnerë ndërkombëtarë.
Grupi kriminal trafikonte njerëz nga Republika e Irlandës drejt Irlandës së Veriut për t’i transportuar në Britani.
Ata përdornin dokumente false, duke transportuar njerëz përmes porteve dhe aeroporteve të Irlandës që kanë një zonë të përbashkët udhëtimi pa viza me Britaninë, edhe pse nuk janë pjesë e zonës Shengen, por që emigrantët mund të hyjnë në Irlandë si vend i BE-së, në kësi rastesh me dokumente false.
Autoritetet sekuestruan 400 mijë stërlina dhe 10 dokumenta fallco.
Kjo “skemë” ndiqej shpesh herë edhe nga shqiptarë që kishin si destinacion final Britaninë. Ato merrnin taksi që kushtonin deri në 2,500 stërlina, që është më pak se kostoja e kalimeve me gomone.
Kjo shumë ishte përveç 300 apo 400 stërlinave të tjera për një dokument fals të blerë në Shqipëri. Mendohej që këto udhëtime kryheshin çdo ditë. Shqiptarët bashkëpunonin me grupet kriminale irlandeze për t’i organizuar fluturimet drejt Dublinit me dokumente false evropiane dhe më pas me taksistë irlandez që i çonin ata drejt Britanisë me tragetet që lidhnin Irlandën ose Irlandën e Veriut me portet britanike.