PS Shkoder i eshte pergjigjur akuzave te PD lidhur me projektin e hyrjes se Shkodres. Keshilltarja bashkiake Uarda Albunesa hodhi poshte pretendimet e selise blu.

Deklarata e plote:

Nuk është aspak surprizë qëndrimi i djeshëm i Partisë Demokratike Shkodër kundër investimeve publike në qytetin tonë. Ka qenë fatkeqësisht gjithmonë kështu për të gjtha investimet e ndërmarra nga qeveria shqiptare në Shkodër. Jemi pak të habitur megjithatë nga paturpësia e “nxjerrjes së bishtave” pikërisht për projektin e hyrjes së Shkodrës (projekt që krijon një hapësirë publike fantastike prej 19 hektarësh në breg të Bunës e liqenit), nga një parti që në 30 vite në pushtet i la trashëgimi qytetit një gjysëm lulishteje te shatërvani, duke e lënë Shkodrën në bisht të Shqipërisë për hapësirat publike dhe gjelbërimin. Një PD që i ka shkelur gjithmonë syrin paligjshmërisë dhe informalitetit në shpinë të qytetarëve të ndershëm, të fëmijëve, të të rinjve e të moshuarve të qytetit.
Projekti i hyrjes së Shkodrës ka qenë në zemër të programit Shkodra Pozitive të Kryetarit Aktual të bashkisë dhe është mbështetur menjëherë nga qeveria shqiptare. Qëndrimi i opozitës ndaj këtij projekti, kujtojmë qytetarët, ka ndërruar disa herë gjatë gjithë kohës si psh:

Gjatë fushatës:

1. Është projekt vetëm 3D, sa për zgjedhje, nuk do të bëhet kurrë.
2. Është projekt i pamundur për t’u bërë; janë vetëm fantazi me mbjellje pemësh në ujë.
3. Këte projekt e ka bërë bashkia e Partisë Demokratike dhe e ka bllokuar qeveria.

Pas zgjedhjeve:

4. Ju thamë, projekti ishte vetëm fasadë për zgjedhje, asgjë nuk po ndodh, nuk do të bëhet kurrë.

Për t’u kthyer sot me fillimin e punimeve në refrenin e vjetër:
5. Ky nuk është projekt që i duhet Shkodrës, është në dëm të qytetarëve shkodranë etj. etj.

Projekti i hyrjes së qytetit të Shkodrës, i prezantuar dhe i mirënjohur nga të gjithë tashmë, ka nisur zbatimin në respekt të plotë të ligjeve në fuqi dhe do të vijojë po sipas të gjitha procedurave ligjore. Ai ka gjetur mbështetje e vlerësim nga të gjithë shkodranët. Edhe vetë pronarët e ndërtimeve që do të shemben kanë shprehur mirëkuptim,duke e vlerësuar projektin si një e mirë e përbashkët publike, nga e cila përfitojnë të gjithë. Është tashmë fakt i njohur se çdo gjë është bërë në bashkëveprim me ta, siç edhe do të vijojë çdo etapë e projektit.
Sigurisht ky është vetëm njëri nga projektet e mëdha dhe transformuese për Shkodrën. Shumë shpejt kantiere të tjera do të hapen në Shkodrën tonë, që tashmë është futur në rrugën e pandalshme të investimeve të rëndësishme dhe me impakt te çdo shkodran.

Në fund, një kerkesë për kolegët tanë opozitarë, me të cilët ulemi në një sallë në këshillin bashkiak të Shkodrës. Fushata elektorale është ende larg, ende nuk ka nisur. Deri atëherë të bëjmë të gjitha përpjekjet, të bëjmë më të mirën për Shkodrën. Shpresojmë shumë ta kenë sinqerisht kur thonë se nuk janë kundër investimeve dhe zhvillimit të qytetit. Besojmë se ky duhet të jetë objektivi ynë i përbashkët, por nëse kanë vendosur që edhe në opozitë ta vënë partinë para Shkodrës, u kujtojmë se ai tren ka ikur një herë e mirë në maj 2023. Asgjë nuk mund ta frenojë ritmin e punëve në qytet dhe programin transformues që do ta kthejë Shkodrën atje ku i takon, në qendër të rëndësishme ekonomike, urbane e kulturore në krye të vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu