Disa komente fyese ndaj njëri-tjetrit në rrjetin social Instagram quan në plagosjen e 29 vjeçarit Renaldo Kola me armë zjarri. Ngjarja ndodhi më 7 shtator rreth orës 17:50 në fshatin Golem të njësisë Rrethina në Shkodër. 29 vjeçari Kola u qëllua me 4 plumba teksa po ecte me një automjet ndërsa u dërgua me shpejtësi në spitalin rajonal të Shkodrës dhe është jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë policia vendore e Shkodrës arriti që të identifikojë autorin e dyshuar pas mbledhjes së dëshmive nga vendngjarja. Efektivët kanë shpallur në kërkim shtetasin Mario Kroni 21 vjeç ndërsa po punohet ende për gjetjen dhe kapjen e tij. Ndërkohë policia ka dyshime se ky konflikt ka ardhur pas disa komenteve fyese në rrjetin social Instagram. Këto komente dyshohet se janë bërë mes vëllait të të plagosurit, shtetasit Renaldo Kola dhe autorit të shpallur në kërkim Mario Kroni. Replikat në Instagram me tone fyese dhe denigruese ndaj njëri-tjetrit kanë bërë që autori dyshuar Mario Kroni të marrë armën dhe të qëllojë në drejtim të Renaldo Kolës, vëllai i personit me të cilin autori ka këmbyer komente. Më përpara dy shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje kanë debatuar me njëri-tjetrin për pak çaste dhe më pas i dyshuari Mario Kroni ka nxjerrë armën duke qëlluar ndaj 29 vjeçarit të cilin e la të plagosur. Ndërkohë pas kësaj ngjarje, shtetasi i plagosur ka dhënë edhe dëshminë e tij për policinë vendore të Shkodrës i cili ka treguar se vëllai i tij dhe autori kishin një konflikt për shkak të Instagramit. “Mario erdhi papritur dhe aty nisëm një debat. Vëllai im dhe Mario kanë shkëmbyer mesazhe në Instagram me njëri-tjetrin. Ai erdhi papritur dhe më qëlloi pasi debatuam përpara dhe më pas u largua”. Policia vendore e Shkodrës nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit ndërsa vijon puna intensivisht edhe për kapjen e autorit të dyshuar, 21 vjeçarit Mario Kroni./BW