Do të duhej të ishin si bashkëmoshatarët e tyre në ditën e parë të shkollës, por gjenden bashkë me prindërit në qëndër të fshatit Mali Kolaj në Velipojë të Bashkisë Shkodër. 10 nxënësit e arsimit fillor nuk u ulën në bankat e shkollës, pasi godina ku prej vitesh mësonin ka mbyllur dyert. Shkak është bërë mungesa e një kontratë qiraje mes pronarit të saj dhe bashkisë, ndërsa prindërit kanë refuzuar dërgimin e tyre në shkollën “Nikoll Zagorjani” në Velipojë, e ofruar si alternativë nga zyra arsimore. Ata thonë se shkolla e Velipojës është 16 km larg dhe mësimi zhvillohet pasdite, ku kthimi natën për të vegjlit është me rrezik.
Nëse nuk ka zgjidhje për të hapur godinën e shkollës në qëndër të fshatit, kërcënojnë se do t’i lënë fëmijët pa mësim. Vetë të vegjlit kërkojnë të hapë dyert shkolla e tyre, pasi ju duhet të ecin me kilometra në këmbë për të arritur në rrugën kryesore ku i merr furgoni për të shkuar drejt Velipojës.
Zyra e Arsimit u ka ofruar si zgjidhje shkollën në qendër të Velipojës, por për prindërit distanca është shumë e largët. Furgoni nuk vjen në qendër të fshatit për të marrë fëmijët dhe këta të fundit nuk pranojnë të ecin 5 km në këmbë për të shkuar deri tek stacioni. E kontaktuar ngatv1 channel, drejtorja e ZVA Brisela Kadija sqaroi se transporti është i sguruar dhe nxënësit në Velipojë do të mund të zhvillojnë mësim në klasat respektive, ndryshe nga shkolla e fshatit ku mësimi kryhej në klasë kolektive. Marrëveshja mes pronarit të godinës dhe bashkisë nuk është arritur pasi prona në fjalë paradoksalisht rezulton e regjistruar në kadastrën e Lezhës, prandaj smund të ketë një kontratë qiraje. Në këtë fshat nuk ka një pronë tjetër bashkia Shkodër, ndërsa fshati Mali Kolaj ndodhet rreth 16 km distancë nga Velipoja.