Kjo e enjte (5 shtator) shënon 8-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës nga Papa Françesku.

Në vitin 2016, Papa duke lexuar formulën e shenjtë në emër të Zotit, shpalli Nënë Terezën shenjtore, duke e quajtur Shën Tereza.

Shenjtërimi i Nënë Terezës, më 4 shtator 2016, e bëri murgeshën shqiptare të pavdekshme në sytë e katolikëve, por edhe të gjithë botës. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, emër të cilin e ndërroi në Nënë Tereza, lindi më 1910 nga prindër shqiptarë.

Në moshën 18-vjeçare ajo u largua nga Shkupi, Maqedonia e Veriut, për t’ju bashkuar Motrave Loreto në Irlandë, dhe prej asaj dite nuk do i shihte më prindërit. Ndonëse regjimi komunist u tregua i ashpër me të duke mos e lejuar të takonte të afërmit e saj, sërish Nënë Tereza nuk e mohoi kurrë prejardhjen e saj, duke u kthyer në krenari për çdo shqiptar.

Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që vuajnë nga HIV/AIDS, lebra dhe tuberkulozi; ato ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla. Anëtarët duhet t’i përmbahen betimit të “dëlirësisë, varfërisë dhe bindjes”, si dhe një kusht të katërt, për të dhënë “shërbime falas e me gjithë zemër për më të varfërit e të varfërve”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu