1 javë përpara nisjes së superligës, Vllaznia zhvilloi ndeshjen e fundit miqësore, këtë herë në transfertë përballë Laçit. Një 90 minutësh që i shërbeu të dy teknikëve për të kolauduar skuadrat e tyre dhe për të kryer një test të rëndësishëm përpara fillimit të kampionatit. Gjithçka ka përfunduar në shifra të barabarta, me golat që erdhën në dy pjesët e lojës. E para ishte Vllaznia që pa avantazhin në minutën e 19-të me anë të mesfushorit Ardit Deliu. Me këtë rezultat ekipet shkuan në pushimin mes dy pjesëve, ndërsa në fraksionin e dytë ishin vendasit e drejtuar nga shkodrani Armando Cungu që gjetën golin e barazimit me anë të kapitenit Kordiero Melo, në minutën e 75-të. Pjesa tjetër e lojës nuk ndryshoi asgjë deri në vërshëllimën përfundimtare. Ky test për trajnerin Thomas Brdaric ishte pozitiv, ndërsa u ndal edhe tek merkato, ku ritheksoi se Vllaznia është ende në kërkim të futbollistëve cilësorë.
“Në pjesën e parë zhvilluam një 45 minutësh që më kënaqi. Qëndruam lart duke bërë presing mbi kundërshtarët dhe duke e konkretizuar edhe me gol. Në të dytën ritmi sikur ra edhe për shkak të zëvendësimeve të shumta, por këto ndodhin në miqësore. Pamë në fushë edhe përformancën e Podrimcakut. Ai është në provë dhe për të do vendosim deri në fundin e javës sepse do ketë edhe disa ditë për tu vëzhguar nga ana jonë.Patjetër duam sulmues dhe jemi në merkato e do kërkojmë deri në fund për të. Kishim edhe sulmuesin malazez që nuk arriti ti plotësonte pritshmëritë. Prandaj edhe lojtari që duhet të vijë duhet të jetë i përshtatshëm për ekipin dhe stilin tonë. Por të jeni të sigurtë që sulmuesin do e kërkojmë deri në orën e fundit të merkatos”.