33-vite më parë, në 8 Gushtin e 1991, do të shënohej eksodi i madh i shqiptarëve, të cilët ‘të ngarkuar’ mbi një anije mallrash lundruan drejt tokës së ëndërruar, Italisë. Anija ‘Vlora’ mbërriti në portin e Barit, ndërsa sipër mbante mbi 20 mijë shqiptarë, të etur për liri dhe të sapo dalë nga izolimi 45 vjecar, i një prej diktaturave më të egra në botë, asaj komuniste të Enver Hoxhës. Ikja ishte e përmasave të mëdha, aq sa të konsiderohej e ngjashme me eksodin biblik.
Ndonëse emigrantët shqiptarë udhëtuan për një të ardhme më të mirë, ata u mbyllën fillimisht në stadiumin e vjetër ‘Della Vittoria’, ndërsa më pas u riatdhesuan për në Shqipëri. Por, pavarësisht këtij fakti jo të gjithë shqiptarët u kthyen në Shqipëri. Emigrantëve ushqimi u dërgohej me helikopter, ndërsa nuk mungonin rastet kur shqiptarët përlesheshin me policinë, pasi tentonin të dilnin prej aty. Brenda dy javësh, shqiptarët u dërguan përsëri në Shqipëri me anije dhe aeroplanë. Sipas shifrave të asaj kohe, në vendin tonë u riatdhesuan 17 mijë e 400, ndërsa në Itali mbetën 1.500 vetë që kishin paraqitur kërkese për strehim politik. Anija e tejmbushur, ku njerëzit vareshin ku të mundeshin, deri tek shtiza e flamurit, kjo ishte tabloja që kujtohet edhe sot. Imazhet përmes fotove dhe videove nga anija e stërmbushur me shqiptarë në drejtim të Barit, sillet shpeshherë në vëmendje. Eksodi i shqiptarëve hapi kështu një kapitull të ri për vendin tonë, ndërsa edhe sot pas më shumë se 3 dekadash, duket se ky fenomen nuk ka të ndalur, ndërsa shqiptarët vijojnë të largohen nga vendi i tyre në kërkim të një jete më të mirë.