Reperi i njohur Noizy dhe Dj i tij Bahtjar Bajraktari është vënë në pranga në mesnatë në një klub nate, teksa performonin në qytetin bregdetar të Shëngjinit.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit arrestimi i tyre u bë i mundur nga operacioni i koduar “Fast”, pasi ishin shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës. Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë.
Njoftimi: Policia e Shtetit
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fast”.
Kapen nga Fast Albania dhe vihen në pranga 2 shtetas të kërkuar nga Policia e Kosovës.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia “FAST Albania” në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, është marrë informacion nga FAST Kosova, për 2 shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri.
Menjëherë, FAST Albania, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve, dhe në kuadër të operacionit policor “Fast”, kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B. B., nga Prishtina.
Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë.