Nis puna për transformimin e tregut të Rusit
Fillimi i kësaj jave ka shënuar edhe nisjen e punimeve për ndërtimin e tregut të Rusit në Shkodër. Punimet janë ndjekur nga Kryetari i Bashkisë Shkodër i cili ka parë nga afër të gjithë lirmin e hapësirave në këtë treg, ndërkohë që I ka kërkuar firmës kontraktuese që punimet të jenë me ritëm të lartë në mënyrë që tregtarët të kthehen sa më parë në vendet tyre, me një pamje të transformuar të tregut të Rusit.
Kryebashkiaku ka parë nga afër edhe vendin provizor ku janë vendosur tregtarët e Rusit, pranë rrethrrotullimit në Dobraç, ku ka marrë edhe falenderimet e tregtarëve për këtë investim të rëndësishëm për kushtet e tyre.
Tregu i Rusit, i amortizuar prej vitesh cilësohet si një nga investimet prioritare të Bashkisë Shkodër me qëllim transformimin e gjendjes së tregjeve të brëndshmë të qytetit. Tregu i Rusit, është një nga tregjet më të mëdha të qytetit të Shkodrës ndërkohë që puna për përfundimin e këtij investimi parashikohet në projekt për 8 muaj, por është marrë garanci nga firma kontraktuese që të përfundojë brënda një harku kohor prej 4 muajsh. Ky investim kap shifrën e 36.6 milion lekëve, nga të cilat 7.5 milion lek janë bashkëfinancim i Bashkisë Shkodër me AZHBR. Rehabilitimi i merkatës Rus, do të shërbejë për të përmirësuar kushtet e tregtimit sipas standarteve për shitesit dhe blerësit e produkteve, duke krijuar një ambjent funksional dhe higjenik si dhe duke siguruar mbrojtjen nga faktorët atmosferik. Me anë të këtij projekti do të behët e mundur, ndërhyrja në sistemimin e sheshit, ndërtimin e mbulesës së merkatës, ndriçimi i tregut, ndërtimi i moduleve të reja për tregtarët ambulant, përmirësimi i kushteve të tregtimit dhe ruajtja e produkteve deri në tavolinën e konsumatorit.