Më 1 korrik, sipas vendimit të qeverisë, të gjithë efektivëve të policisë do t’u rritej paga. Diçka e tillë u shoqërua dhe me foto shpjeguese për rritjen sipas gradave, ndërsa për kreun e sindikatës së policisë niveli bazë ka përfituar vetëm 8 mijë lekë rritje page. Diçka e tillë, sipas tij, është vetëm rimbursimi që të gjithë organizatës do duhej t’u bëhej nga inflacioni dhe rritja e çmimeve.
Veç pagave janë dhe orët shtesë. Sipas urdhrit të drejtorit të përgjithshëm të gjithë efektivët duhet të punojnë 4 orë më shumë, në total 12 orë, ndërsa lejet përgjatë sezonin turistik janë anuluar. Edhe pse kodi i punës thotë se çdo efektiv nuk mund të punojë më shumë se 50 orë në javë apo 200 orë shtesë në vit, diçka e tillë mesa duket ka ndryshuar, por që pritet të kompensohet.
Disa javë më parë, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, postoi në rrjetet sociale vendimin e qeverisë për rritjen e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit, atyre të gardës dhe agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Ministri shprehu vlerësime për çdo punonjës të Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera të emergjencës, që me angazhimin e tyre kanë kontribuar në rritjen e sigurisë publike dhe në rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit.