Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe bashkëpunëtorin e tij Ermal Kurtula, ka ndryshuar masa në arrest shtëpie për Alfred Nikollën, të cilët janë nën hetim për korrupsionin me fondet e BE në SASPAC.
Në përfundim GJKKO vendosi:
ARREST NË BURG
Ilir Beqaj
Ermal Kurtulaj
ARREST NË SHTËPI
Elton Marini
Alfred Nikolli, ishte në burg
DETYRIM PARAQITJEJE
Bledar Leka
Bjona Zijaj
Kujtojmë se ish-ministri u arrestua dy ditë më parë nën dyshimet për përfshirje në një skemë korrupsioni për përfitime nga fondet e Agjencisë së koordinimit të ndihmës së huaj (SASPAC), të cilën e drejtonte që prej vitit 2021, si dhe për fshehje të pasurisë.
Sipas informacioneve mësohet se ish-ministri Beqaj në dëshminë e tij ka mohuar akuzat që SPAK ka ngritur ndaj tij. Beqaj ka kërkuar lirim me garanci pasurore në gjykatë dhe ka ofruar 5 milionë lekë të reja.
Edhe bashkëpunëtori i Ilir Beqajt, Ermal Kurtulaj, ka kërkuar masë më të butë sigurie me garanci pasurore! Ai ka deklaruar se: Sapo kam shitur një “Audi Q7”, mund ta vendos shumën e parave si garanci pasurore.
Ndërkohë, arrest shtëpie është caktuar për Elton Marini ortak i shoqërisë private dhe Gazmend Haxhia – Pronari i ‘Landëays International’, por për të nuk është ekzekutuar masa e sigurisë pasi ndodhet jashtë shtetit. Në detyrim me paraqitje janë Bledar Leka e Bjona Zijaj konsulentë financiarë.
I vetmi që ka katër akuza është ish-ministri Ilir Beqaj ndaj të cilit SPAK ka ngritur akuzat e korrupsionit pasiv, mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë, mashtrimit, dhe pabarazisë në tenderë. Ndërsa të proceduarit e tjerë akuzohen për korrupsion aktiv dhe pasiv si dhe për mashtrim.
SPAK thotë se ka gjetur prova se Ilir Beqaj si drejtues i SASPAC, në bashkëpunim me Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish ministri përmes Restorant Gzona në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij.
Ndërkohë, ish-ministri i shëndetësisë është i pandehur edhe për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim.Për sterilizimin janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë, mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i Koncesionit Ilir Rrapaj të dy në pranga që prej gushtit të vitit të kaluar. Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të koncesionit të sterilizimit. SPAK akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar.