Një shqiptar është arrestuar nga policia italiane pasi akuzohet për rrëmbimin e një 26-vjeçareje dhe djalit të saj 5-vjeçar. Mediet fqinje bëjnë me dije se 33-vjeçari e kishte të ndaluar t’i afrohej së resë, gjithashtu me origjinë shqiptare.
Për arrestimin e tij janë përfshirë efektivët e Padovës, Trevisos, Vicenzas dhe Trentos të cilët u alarmuan ditën e djeshme nga bashkëshorti i 26-vjeçares. Sipas asaj që mësohet, i dyshuari, 33 vjeç, banues në zonën e Trevisos, ka kapur në Borgoricco (Padova), gruan që shoqëronte me makinë djalin e saj për në çerdhe dhe me kërcënimin e thikës i ka detyruar të ndalonin.
Më pas shqiptari mori timonin e makinës, duke marrë me vete fëmijën dhe nënën, të cilëve i lidhi këmbët. Pas rreth gjysmë ore, i shoqi, i alarmuar nga moskthimi i gruas në shtëpi, telefonoi policinë. Policia ka arritur të lokalizojë makinën që drejtohej nga shqiptari, i cili nën kërcënimin e thikës mbante peng gruan dhe fëmijën. Pati një ndjekje për gati njëqind kilometra deri në Grigno, në Valsugana, ku rrëmbyesi u rrethua dhe u bllokua. Gruaja dhe djali i saj u lanë të lirë, ndërsa shqiptari u vu në pranga.