Është një garë që nuk të jep trofe. Gjithsesi, pagat e trajnerëve të kombëtareve janë diçka që tregojnë forcën e Federatave dhe emrin e teknikëve, dhe në këtë listë Silvinjo nuk është shumë lart. Trajneri i Shqipërisë, që do të drejtojë ekipin në Euro 2024, merr vetëm 750 000 euro në vit, pra jo në edicion, që zakonisht arrin në 18 muaj. Në vendin e parë për njerëzit e stolit është siç pritet tekniku i shpikësve të futbollit, i Anglisë, Garet Sauthgejt.

Ai fiton plot 5.8 milionë euro në vit, vlerësim tepër i lartë, ndonëse ka deklaruar se do të largohet nëse “tre luanët” nuk e fitojnë Europianin. Pas tij është trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsman, me 4.8 milionë euro në vit, i ndjekur nga Roberto Martinez i Portugalisë me 4 milionë, dhe tekniku i nënkampiones së botës, Francës, Didie Deshamp, që fiton 3.8 milionë euro në 12 muaj. Nga rivalët e Shqipërisë në grupin e Europianit, më i paguari është Luçiano Spaleti. Tekniku i Italisë merr në vit 3 milionë euro, aq sa Ronald Kuman i Holandës, një vlerësim për kampionin e vjetshëm të Serisë A me Napolin. Zllatko Daliç i Kroacisë merr 1.5 milionë euro, një sakrificë ndoshta për Federatën Kroate, por i detyruar për njeriun me të cilin kombëtarja fitoi medalje argjendi dhe bronzi në dy Botërorët e fundit.

Luis de la Fuente i Spanjës është edhe më pak i paguar, me 1.25 milionë euro në vit, duke mos pasur përvojë dhe emër në stol. /SCAN TV

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu